Zyra e Kryeministrit ngushëllon familjet e dy kosovarëve që vdiqën në përmbytjet në Gjermani

Prishtinë | 21 Kor 2021 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Kryeministrit, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për dy kosovarët që humbën jetën në përmbytjet që e përfshinë Gjermaninë mesjavën e kaluar.

ZKM tha se bashkëndjejnë dhimbjen me familjarët e dy të vdekurve, shkruan Express.

“Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovësu shprehë ngushëllime të sinqerta familjeve Delija dhe Koxha. Në këto ditë të rënda pikëllimi, bashkëndjejmë dhimbjen me familjarët dhe lutemi që Gjermania mike të tejkalojë sa më parë këtë gjendje të rëndë”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Qeveria e Kosovës thotë se me shqetësim po e përcjellë gjendjen e rënduar pas vërshimeve në Gjermani, ku si pasojë e përmbytjeve humbën jetën mbi 160 persona ndërkohë që shumë të tjerë janë ende në kërkim.

“Bazuar në të dhënat zyrtare, deri në orët e paradites së sotme, si pasojë e vërshimeve, ka humbur jetën shtetasi i Kosovës Sh.D. si dhe një vajzë me shtetësi gjermane V.K. , që ka njërin prind me shtetësi të Kosovës”, thuhet në reagimin e ZKM-së.

Qeveria thotë se nëpërmjet ambasadës dhe konsullatave të Kosovës, është duke përcjellë nga afër situatën në Gjermani dhe është në kontakt me mërgatën në zonat e prekura nga kjo katastrofë natyrore.

“Ftojmë të gjithë bashkatdhetarët që kanë nevojë për asistencë të lajmërohen në çdo kohë në konsullatat më të afërta. Ky është numri emergjent i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main, që është në dispozicion 24 orë: +49 152 290 84 675”, thuhet në fund të komunikatës.

Të ngjashme