Politikologu Arifi tregon a do të ketë nënshkrim të shtunën në Ohër – Edhe Vuçiqi e ka pranuar Marrëveshjen, kanë mbetur disa çështje teknike, por që janë fundamentalisht politike

Prishtinë | 17 Mar 2023 | 07:52 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka thënë se deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se të shtunën në Ohër nuk do të ketë nënshkrim të Marrëveshjes me Kosovën, mund të merren si “të sakta” pasi nuk do të ketë nënshkrim formal të Propozimit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, Arifi ka deklaruar për Ekonomia Online se sikurse kryeministri i Kosovës, edhe Vuçiqi e ka pranuar në parim Marrëveshjen.

Sipas Arifit, mes palëve “shtizat janë duke u thyer” për çështje “teknike” – Planin e Zbatimit të kësaj marrëveshjeje, por që në fakt janë fundamentalisht politike.

“Nuk besoj në atë se çka thotë presidenti i Serbisë, sepse në parim ai e ka pranuar Planin Evropian. Pra, ai është çelësi dhe përmbajtja e krejt marrëveshjes. Për çka s’është pajtuar kryetari i Serbisë është aneksi apo dokumenti i zbatimit, i cili më shumë ka të bëjë me çështje teknike”.

“Pra krejt procesi po zvarritet në çështje teknike, por që janë fundamentalisht politike, sepse aty kërkohet njohja e Kosovës dhe Serbia të mos përzihet në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve. Nga ana tjetër i kërkohet Kosovës t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e kaluara. Këtu pra është ai ngërçi kryesor si për palën serbe si atë kosovare”, tha ai për EO.

Ai tha se këtë të shtunë nuk pritet që të ketë nënshkrim të marrëveshjes por do të ketë pajtim apo miratim për Planin e Zbatimit.

Ai theksoi se pala e cila e refuzon këtë marrëveshje do të ketë sanksione në aspektin individual, partiak, por edhe si shtet.

“Nuk besoj që të shtunën do të kërkohet nënshkrimi. Të shtunën do të kërkohet pajtimi apo miratimi me Planin e Zbatimit”.

“Pala që e refuzon, jam i bindur që do të ketë sanksione, edhe në aspektin individual, edhe në aspektin partiak, por edhe në aspektin shtetëror”.

“Mendoj që të shtunën minimumi që mund ta bëjnë palët është që të dakordohen, sepse është vërejtur që edhe SHBA-ja edhe BE-ja e kanë seriozisht me përmbylljen e këtij procesi. Kështu që as Serbia e as Kosova nuk do të mund ti ikin apo të interpretojnë nga dëshirat e tyre. Të shtunën do të pajtohen parimisht dhe në një datë të mëvonshme, gjatë këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm, do ta nënshkruajnë dokumentin. Kjo besoj është ajo që do të ndodh sepse çdo alternativë tjetër do të na sillte në një konflikt”, tha ai.

Të ngjashme