Nën patronatin e presidentit Hashim Thaçi, është mbajtur Akademi Përkujtimore për 72-vjetorin e rënies së Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës.
Në këtë akademi përkujtimore përpos presidentit Thaçi po marrin pjesë edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, zëvendëskryeministra e zyrtarë të tjerë. Akademia përkujtimore ka filluar me himnin shtetëror dhe kombëtar të pasuar me një minutë heshtje për të dy.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se kanë kaluar tre çerek shekulli kur fundi i një lufte po shënonte fundin e luftës.
“Shqiptarët e Kosovës të cilët mezi iu kishin shpëtuar serbëve kishin shpresë se do të realizonin të drejtën për vetëvendosje por fatkeqësisht realiteti ishte më shumë zhgënjyes. Asnjë zotim nuk do të mbahej, asnjë padrejtësi nuk do të zbatohej përkundrazi shqiptarët u gjuajtën me topa”.
Sipas presidentit Shaban Polluzha dhe bashkëluftëtarët e tij vendosën të ndajnë fatin me popullin e tyre kur ishin nisur drejt një lufte.
“Shaban Polluzha kishte përjetuar padrejtësi, por periudha më e gjatë ishte ajo e Serbisë. Komandanti Shaban Polluzha mbetet një nga figurat historike të Kosovës. Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica u bënë një binom kundër luftës antikomuniste. Ishin dy personalitet të moshave të ndryshme por i bashkonte ideali. I bashkonte ideali për Kosovën për të cilën nuk kursyen asgjë”, theksoi presidenti Thaçi.
Thaçi pohoi se gati gjysmë shekulli emrat e të dyve ishin të ndaluar nga Beogradi, duke shtuar se asnjëherë s’u ndalën aspiratat për lirinë e Kosovës.
UÇK arriti të realizojë ëndrrën e qytetarëve të Kosovës.
“Kjo e arritur nuk do të bëhej pa vizionin ndërkombëtar, pa përkrahjen e SHBA, pa përkrahjen e NATO.
“Sot kur shënojmë përvjetorin e tyre Kosova ka hyrë në 18 vjetorin e lirisë dhe nëntë vjetorin e pavarësisë. Kosova dhe kombi shqiptarë do ti nderojë gjithmonë ata që kanë dhënë kontribut për vendin. Sado e dëmtuar nga plagët e së kaluarës Kosova e ka vizionin drejt së ardhmes, synimin në NATO, sot Kosova ka një mbështetje të miqve të ShBA. Kosova e ka pasur dhe do ta ketë mbështetjen e të gjithëve”.
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vendosur t’i dekorojë këta heronj me titullin “Heronj të Kombit”.
Kurse, Sabit Syla drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës theksoi se lufta e dytë botërore ka qenë luftë e përmasave të mëdha e cila krijoi kushte gjeopolitike edhe për Kosovën.
“Në kundërpërgjigje të terrorit u krijua brigada e Drenicës që kishte për qëllim largimin e forcave çetnike nga vendi”, tha ai.
Sipas tij historia e një kombi nuk njihet pa thesarin e të parëve tonë.
“Akademia ka një histori të madhe shqiptare. Sot përkujtimi për Shaban Polluzhën dhe Mehmet Gradicën është inspirim i përpjekjeve tona. Rrallë ndodhë që në histori lind një plejadë e luftëtarëve”, tha ai.