Mbikëqyrësit e karteleve të Polonisë kishin paralajmëruar që në vitin 2016 se gazsjellësi i diskutueshëm “Nord Stream 2” i Detit Baltik mund të ndikojë negativisht në konkurrencë.
Tani Autoriteti Polak për Konkurrencën dhe Mbrojtjen e Konsumatorit vendosi një gjobë prej miliarda dollarësh për konsorciumin e operatorit.
Kompania ruse e energjisë Gazprom duhet të paguajë një gjobë rekord prej rreth 6.45 miliardë eurosh. Por pesë ndërmarrjeve të tjera që janë të përfshira në projektin e gazsjellësit do t’u kërkohet gjithashtu të paguajnë. Në total, pesë partnerët financiarë, tek të cilët bën pjesë edhe furnizuesi i Düsseldorfit Uniper, gjermani Wintershall dhe austriaku OMV Group, pritet të paguajnë 52 milionë euro.
Pasi autoriteti refuzoi në vitin 2016 t’i japë miratim kompanisë së projektit, në të cilën janë përfshirë gjithashtu si investitorë financiarë grupi francez Engie dhe grupi britaniko-holandez Shell autoriteti filloi në vitin 2018 procedurat kundër karteleve.
Deri tani, gazi rus është transportuar përmes tubacioneve që përshkojnë Ukrainën dhe Poloninë
Nord Stream 2 ka për qëllim të rrisë ndjeshëm potencialin për dërgesat e gazit rus në Gjermani, por kundërshtohet nga shumë shtete. Kritikët druhen se tubacioni mund të dobësojë rëndësinë strategjike dhe ekonomike të gazsjellësve alternativë dhe vendeve tradicionale të tranzitit – përfshirë Poloninë, si dhe Ukrainën. Qeveria në Varshavë ishte që nga fillimi kundër tubacionit të ri.
Punimet për ndërtimin e gazsjellësit me gjatësi 1,230 kilometra aktualisht janë ndalur, sepse kompanitë e përfshira kërcënohen me sanksione nga SHBA. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump akuzon Gjermaninë se po kalon në varësi nga gazi rus.
Përkrahësit, nga ana tjetër, argumentojnë se “Nord Stream 2” rrit sigurinë e energjisë në Evropë dhe siguron çmime të ulëta të energjisë – gjithashtu në krahasim me gazin më të shtrenjtë të lëngshëm nga SHBA, i cili fitohet kryesisht përmes procesit të diskutueshëm fracking.
Helmimi i politikanit rus të opozitës Alexej Navalny kohët e fundit shkaktoi diskutime shtesë rreth gazsjellësit. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki theksoi javën e kaluar se çështja e kritikut të helmuar të Kremlinit nuk mund të shihej veçmas nga projekti i gazsjellësit.