Posta e Kosovës dhe kompania “Zone Mobile” kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për shitjen e telefonave mobilë dhe aksesorëve. Ky projekt do të hapë rreth 100 vende të reja pune, kurse vlera e investimit do të jetë mbi 1 milion euro.
Fillimisht, shitja do të fillojë në 10 zyra postare: në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Vushtrri dhe në Podujevë.
Drejtori ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se me këtë marrëveshje do të punësohen dhjetëra persona, dhe se do të kenë disa pika të shitjes së telefonave mobilë dhe aksesorëve.
“Nga sot Posta e Kosovës në disa pika të shitjes do të ofrojë shitjen e telefonave mobilë. Posta e Kosovës do të bëhet pjesë e partneritetit me ‘Zone Mobile’. Me këtë projekt, jo vetëm që po krijohet një shërbim, por edhe vende të punës. Do të jemi të përkushtuar që në vazhdimësi të jemi në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq, drejtori i “Zone Mobile”, Alban Limani, ka premtuar se për qytetarët do të ofrohen vazhdimisht brendet më të njohura të telefonova mobilë dhe pajisjeve përcjellëse. Sipas tij, projekti do të hapë mbi 100 vende të reja pune.
“Të gjitha produktet që do të ofrohen për shitje në Postë kanë siguri të lartë, kanë garanci, furnizohemi vetëm nga kanalet zyrtare te brendeve dhe mund të blihen edhe me këste. Vlera e investimit deri ne shtrirjen totale te projektit do jetë mbi një milion euro”, ka thënë Limani.
Ai ka falënderuar Postën e Kosovës për bashkëpunim profesional.
Kryeshefi Hoxha sërish u ka bërë thirrje të gjitha kompanive që të shkojnë në Postën e Kosovës dhe së bashku të ofrojnë projekte kreative, shërbime dhe produkte që janë në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.