Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të shqyrtohet pakoja e projektligjeve për sundim të ligjit dhe agjendës integruese evropiane.
Opozita e ka kundërshtuar thirrjen e seancën nga kryeministri, Ramush Haradinaj.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, tha se kryeministri Haradinaj nuk ka të drejtë të thërras seancë të jashtëzakonshme për lexim të dytë të projektligjeve, raporton Ekonomia Online.
“Kjo është një seancë e jashtëzakonshme e ftuar nga kryeministri dhe ne në komisionin për legjislacion kemi pas një pajtim. Meqenëse kërkesa për seancë nuk është shumë e saktë dhe kemi kërkuar sqarim. Kryeministri nuk mund të thirr seancë të jashtëzakonshme për lexim të dytë sepse është shkelje, dhe kemi ftuar që kryeministri të tërhiqet nga seanca. Konkludimi kryesor i komisionit është që kryeministri s’mund të thirr seancë, ai propozon, prandaj kjo seancë nuk duhet të mbahet”, ka thënë Gashi.
Deputetja e VV Albulena Haxhiu tha se seanca e sotme nuk ka objekt dhe nuk duhet të mbahet.
“Përdorimi i standardeve të dyfishta. Kur është thirr seanca për ndalimin e presidentit që të diskutoj për kufijtë nuk është hapë seanca me 61 deputetë ndërkaq sot po hapet me 40, kuvendi nuk i koalicionit por i të gjithëve. Unë s’po kuptoj cilat janë ato projektligje të cilat duhet të diskutohen. Është e vërtet që sipas kushtetutës kryeministri të thërras seancë të jashtëzakonshme mirëpo nuk kanë të drejtë të kërkoj shqyrtim të dytë projektligjet, kjo është shkelje dhe këtu është shndërruar në dukuri ndërhyrja në pushtete. Sot do të duhej të diskutoheshin skandalet e Hashim Thacin duke u munduar ta zëvendësojë”, ka thënë Haxhiu.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se seanca nuk do të mbahet dhe ardhja e deputeteve është vetëm procedurale.
“Ne sot kemi ardhë këtu për shkak të procedurave sepse krejt e dimë që seanca sot nuk mbahet, por për shkak të procedurave jemi sot këtu. Dje kryeministri ka dërguar letër dhe ka mbet që seancën me ftuar kur do qe vendos kryesia. E logjikshme do të ishte që sot të mos vinim. Kryeministri e ka ftuar një seancë me vullnet të mirë dhe në këtë kuadër ka qenë kërkese e tillë mirëpo ndoshta do të duhej të vinte në një formë tjetër”, ka thënë Krasniqi.
Dardan Sejdiu kërkoi që seanca të mbyllet dhe të caktohet dita se kur do të mbahet. Është e paqartë për çka jemi mbledhë sot. Nuk është në rregull e as korrekte që të mblidhemi sot, dhe nuk po shoh arsye me qëndru më shumë, prandaj ju lus si komision ta ndërprisni”.
Ahmet Isufi tha se thirrja e kryeministrit për seancë nuk është që të ndërhyjë në kuvend, raporton EO.
“Projektligjet që po përmenden lidhen me rendin dhe ligjin sepse është kërkesa që këto ligje të kalojnë në seancë plenare dhe kryeministri ka pasë këtë motiv dhe nuk duhet kuptuar si ndërhyrje. Kemi projektligje të tjera që po neglizhohen. Komisioni për legjislacion i ka kry obligimet e veta sa i përket këtyre projektligjeve.
Deputeti Bilall Sherifi e quajti të panevojshme ardhjen në seancë. “Unë kam kërkuar që kërkesa të jetë më specifike. Kjo seancë i ngjan demokracia në veprim, nuk është dashtë me u thirrë seanca edhe me tregu që nuk e kemi gati pakon e ligjeve që të shqyrtohet”.