Ekzekutivi i Komunës së Kaçanikut që udhëhiqet nga kryetari Besim Ilazi (PDK), gjatë vjetëve të fundit njihet për punësime të shumta mbi baza politike e familjare.
Ndërkohë, që nga 2014-ta ai po mbanë të punësuar gjithsejtë 12 punonjës me kontakt për shërbime të veçanta, megjithëse një gjë e tillë është në kundërshtim me dispozitat ligjore derisa ligji e parasheh se një kontratë e tillë mund të lidhet vetëm për gjashtë muaj. Këto vlerësime i ka dhënë edhe auditori i përgjithshëm në raportin e fundit të pasqyrave financiare të kësaj komune.
“Sipas nenit 12 të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil përcaktohet që emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj duhet të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” (MShV) për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Komuna gjatë vitit 2019 kishte të angazhuar me MShV 19 punonjës. Edhe pse ishin përdorur procedura të thjeshta rekrutimi, 12 prej tyre ishin nga vitet paraprake kryesisht nga viti 2014”, thuhet në raportin e auditorit. Sipas këtij raporti, këto angazhime ishin kryesisht për pozita jo specifike të punës, andaj një dukuri e tillë sipas menaxherit të personelit ka ndodhur për shkak të nevojës për angazhimin e stafit për realizimin e objektivave shtesë të komunës. “Vazhdimi i mbulimit të pozitave me MShV përtej afateve të lejuara, është në kundërshtim me normat ligjore, mund të ndikojë në performancë të dobët të stafit si dhe rrit pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat”, thuhet më tej në raport.
Në anën tjetër, kryetari i kësaj komune Besim Ilazi, nëpërmjet një shkrese i është përgjigjur auditorit të përgjithshëm. “Pajtohem me të gjeturat, rekomandimet dhe nuk kam ndonjë koment për përmbajtjen e raportit. Brenda 30 ditëve nga pranimi i raportit final, do t’ju dorëzoj një plan të veprimit për implementimin e rekomandimeve i cili do të përfshijë afatet dhe stafin përgjegjës për implementimin e tyre”, thuhet në shkresën e Ilazit.