Presidenti i Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i ka dërguar një telegram urimi kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, me rastin e zgjedhjes së tij kryetar të institucionit më të lartë përfaqësues dhe ligjvënës të Republikës së Kosovës.
“I nderuar z. kryetar,
Ju lutem më lejoni t’ju përgëzoj përzemërsisht për zgjedhjen tuaj si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Jam i kënaqur që marrëdhëniet midis Austrisë dhe Kosovës janë shumë të ngushta. Austria gjithmonë ishte dhe mbetet një mbështetëse e palëkundur e Kosovës në rrugën e saj evropiane. Megjithatë, më lejoni t’ju siguroj se mezi pres që të vazhdojmë të punojmë drejt krijimit të lidhjeve edhe më të ngushta midis dy shteteve tona. Kjo mund të ilustrohet me programin e punës së qeverisë aktuale austriake, ku përmendet intensifikimi i shkëmbimit midis parlamenteve tona si një nga qëllimet e tij.
Komponenta të rëndësishme që janë pjesë e kësaj përpjekjeje, që janë gjithashtu shumë të dashura për mua, janë Punëtoria për Demokraci dhe Programi i Bursave të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me EFB.
Është e panevojshme të thuhet se do të ishte një kënaqësi e madhe të kisha një mundësi për një shkëmbim të hershëm me ju të pikëpamjeve përmes video-konferencës. Unë gjithashtu pres që ta vizitoj Kosovën për tu takuar personalisht me ju, në momentin kur të kalojë pandemia.
Përfitoj nga ky rast për të përcjellë tek ju urimet e mia më të mira për një kryesim të suksesshëm të Kuvendit”, thuhet në urimin e z. Sobotka.