Presidenti Hashim Thaçi nuk ua ka njohur hisenë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të cilën Kushtetuta ua garanton, subjekteve opozitare – LVV-së e LDK-së. Ai ua ka ofruar vetëm gjysmën e kësaj hiseje, shkruan sot Koha Ditore.
Për të enjten, kreu i shtetit i ka ftuar për të dhënë betimin në Presidencë vetëm nga një të nominuar nga të dy këto parti. Në anën tjetër, krahas katër të nominuarve të subjekteve që u takojnë komuniteteve pakicë, ka ftuar edhe dy nga partitë në koalicionin qeverisës.
Emërimin e dy anëtarëve të fundit ka vendosur ta bëjë tek pasi Gjykata Kushtetuese të saktësojë se kujt i takojnë ata – partive në pushtet, apo atyre në opozitë.
Ky përcaktim është kritikuar nga LVV-ja veçmas. Nga ky subjekt politik, kreu i shtetit është pandehur për shkelje kushtetuese.