Thaçi merr përkrahjen e kryeministrit bullgar që Kosova të kryesoj SEECP

Prishtinë | 30 Qer 2017 | 19:18 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të Samitit të SEECP-së, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisovin, me të cilin kanë biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Presidenti Thaçi ka falënderuar kryeministrin Borisov për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Kosovës në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe në procesin e integrimeve evropiane.

Në këtë takim është folur edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, për shkëmbimin tregtar dhe për dinamizimin e bashkëpunimit në arsim dhe kulturë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisovi, ka rikonfirmuar mbështetjen e Bullgarisë për Kosovën dhe ka mbështetur propozimin që Kosova të kryesoj SEECP gjatë vitit 2019.

Gjatë ditës, presidenti Thaçi, bashkë me homologë nga i gjithë rajoni, kanë marrë pjesë në Samitin e SEECP-së, ku edhe njëherë u kërkua përshpejtim i procesit të anëtarësimit të shteteve të rajonit në BE.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme