Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot kredencialet e Ambasadorit të Republikës së Guineas, Diallo Mamadou Siradiou, ambasador jo-rezident për Kosovë.
Duke e uruar për punën e re, presidenti Thaçi është shprehur i gëzuar që Republika e Guineas për herë të parë ka emëruar ambasador për Republikën e Kosovës.
“E mirëpres avancimin e marrëdhënieve tona bilaterale dhe mbështes çdo thellim të bashkëpunimit dhe të afirmimit të Kosovës në Guinea dhe në tërë rajonin tuaj”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ambasadori Siradiou ka përcjellë urimet e presidentit Alpha Condé të Republikës së Guineas dhe është shprehur i gëzuar për detyrën e re që ka marrë, duke shtuar se do të kërkojë mundësi për ta çuar përpara këtë bashkëpunim.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar për njohjen e Kosovës nga Republika e Guineas dhe për përkrahjen që kjo republikë i ka dhënë Kosovës në organizatat dhe forumet ndërkombëtare