Presidenti Trump propozon uljen e ndihmës ekonomike për vendet tjera

Prishtinë | 11 Shk 2020 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka propozuar një ulje prej 21 përqind të ndihmës që Shtetet e Bashkuara u japin vendeve të tjera.

Kërkesa në buxhet për programe të tilla është 44.1 miliardë dollarë nga 55.7 miliardë që ishte miratuar për vitin e tanishëm fiskal.

Disa ligjvënës dhe analistë të tjerë parashikojnë se plani i presidentit Trump për të ulur me një të pestën ndihmën për jashtë nuk do të mund të miratohet në Kongres, veçanërisht në këtë vit zgjedhor.

“Shtëpia e Bardhë duhet të kursejë ca letër në vend që të na dërgojë një buxhet që është i destinuar për t’u hedhur poshtë menjëherë”, tha në një koment në Twitter, kryetari i Komisionit të Çështjeve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel.

Disa zyrtarë të administratës e quajnë të gabuar uljen e buxhetit për ndihmën e huaj.

“Ne thjesht nuk jemi dakord. Presidenti nuk pajtohet me idenë se ne duhet të vazhdojmë të kemi nivele të tilla të fuqishme fondesh në kategorinë e ndihmës së huaj”, tha drejtori në detyrë i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Russ Vought, në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës në një konferencë të Shtëpisë së Bardhë.

Vought vuri në dukje se sipas planit të presidentit, i cili arrin në 4.8 trilionë dollarë për të gjithë qeverinë federale, do të ketë megjithatë rreth 40 miliardë dollarë ndihmë të huaj.

“Është një sasi e konsiderueshme. Ne do të jemi akoma në një nivel shumë të lartë në krahasim me pjesën tjetër të botës, për sa i përket asaj që ofrojmë”, tha Vought.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët e opozitës, edhe vitin e kaluar e kundërshtoi propozimin e Presidentit Trump për të ulur ndihmën e huaj.

Kërkesa e Presidentit Donald Trump për një buxhet mbrojtjeje prej 740.5 miliardë dollarësh dërguar Kongresit të hënën, përfshin më shumë para për armë bërthamore dhe një rritje të madhe të shpenzimeve për kërkime, që vendi të jetë i përgatitur për luftërat e së ardhmes.

“Ky është buxheti më i madh i kërkuar nga Pentagoni në fushën e hulumtimeve gjatë 70 vjetëve”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes.

Kërkesa vjen ndërkohë që ushtria synon të ndërtojë aftësi të reja për t’iu kundërvënë fuqisë në rritje të Kinës dhe Rusisë.

“Në përparësitë e Pentagonit, kërkesa për fonde për modernizimin e armëve bërthamore u rrit 18 për qind në krahasim vitin e kaluar ose 29 miliard dollarë shtesë”, tha një tjetër zyrtar i lartë i Mbrojtjes.

Financimet do të përdoren për të përmirësuar komandën dhe kontrollin e armëve bërthamore si dhe platformat e lëshimit të tyre, siç janë nëndetëset e klasës Columbia, të prodhuara nga firmat Huntington Ingalls Industries dhe General Dynamics apo certifikimi për të instaluar bomba bërthamore në bordin e avionit “stealth” F-35, prodhim i kompanisë Lockheed Martin.

Kërkesat për buxhetin e Pentagonit përfshijnë 69 miliardë dollarë për të financuar luftërat e tanishme dhe nevoja të tjera të Pentagonit.

Buxheti i Marinës u ul me 1 për qind ose 1.9 miliard dollarë, në 207 miliardë dollarë ndërsa Forcat Ajrore kanë një buxhet pak më të lartë.

Propozimi i Trumpit parashikon 79 avionë F-35, një më shumë nga sa ishte kërkuar vitin e kaluar. Por Kongresi vitin e kaluar e rriti numrin e avionëve F-35 në 98 nga 78 që ishte parashikuar në buxhet.

Agjencia e Mbrojtjes nga Raketat po shqyrton një shtesë fondesh. Buxheti i saj prej 9.1 miliardë dollarësh përfshin fonde për zhvillimin e një prototipi rakete interceptuese THAAD për mbrojtjen e 48 nga të 50 shtetet e Amerikës. /Zëri i Amerikës

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme