Presidenti uron Ditën e Mësuesit

Prishtinë | 07 Mar 2020 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka uruar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, duke thënë se në këtë ditë kujtohet me respekt sakrifica dhe kontributi i jashtëzakonshëm i mësimdhënësve në vitet më të errëta të robërisë,.

“Çdo 7 Mars, në Ditën e Shkollës Shqipe, Ditën e Mësuesit, kujtojmë historinë e shkollës shqipe që ka luajtur rol qenësor në zhvillimin e qytetërimit shqiptar, në krijimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në emancipimin e përgjithshëm shoqëror”.

“Kujtojmë me respekt sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mësimdhënësve në vitet më të errëta të robërisë”.

“Ndërkaq, sot urojmë të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe pedagogët me besimin se ata vazhdojnë të jenë prijatarë të ngritjes së gjeneratave të reja të Kosovës, konkurrente dhe të barabarta me gjeneratat e tyre në rajon dhe më gjerë. Urime 7 Marsi”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Më 7 mars 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.

Kujtojmë se kjo ngjarje ishte një fitore për popullin shqiptar, pasi deri në atë kohë mësimet mbaheshin në shtëpi private dhe në mënyrë të fshehtë. Kjo shkollë qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, e të tjerë.

Të ngjashme