Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Sanae Takaichi e cila u zgjedh kryeministre e Japonisë.
Osmani ka potencuar se Kosova e çmon miqësinë e qëndrueshme me Japoninë.
“Urimet më të përzemërta për Sanae Takaichi për zgjedhjen si Kryeministre e Japonisë. Kosova e çmon thellësisht miqësinë e saj të qëndrueshme me Japoninë – një partnere dhe aleate besnike e popullit tonë. Presim me padurim të bashkëpunojmë ngushtë me Kryeministren Takaichi për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin tonë të shkëlqyer në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, ka uruar Osmani përmes një shkrimi në platofrmën “X”.
Liderja e Partisë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet në Japoni, Sanae Takaichi, siguroi sot fitoren në të dy dhomat e Parlamentit për t’u bërë kryeministrja e parë femër e vendit.
Takaichi është bërë kryeministrja e 104-t e Japonisë. Votimi i parë parlamentar filloi në orën 13:08 sipas orës lokale, i cili u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror NHK.
Takaichi siguroi 237 vota në Dhomën e Ulët, vota të mjaftueshme me mbështetjen e Partisë së Inovacionit të Japonisë (JIP), e cila formoi koalicion me LDP-në si dhe me të pavarurit.
Një kryeministër ka nevojë për mbështetjen minimale të 233 deputetëve në Dhomën e Ulët me 465 vende të Parlamentit dydhomësh.
Megjithatë, zgjedhjet për kryeministër shkuan në një balotazh në Dhomën e Lartë të Parlamentit ku Takaichi siguroi një minimum prej 125 votash, kundër Yoshihiko Noda-s, kreut të Partisë më të madhe opozitare Demokratike Kushtetuese të Japonisë.
Dhoma e Lartë e Japonisë ka 246 ligjvënës.