Ish-drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka thënë se tenderët janë një burim i pashtershëm i aferave korruptive në Kosovë.
“Korrupsioni i imët nuk është problem në Kosovë. Ne kemi një polici rrugore jo të korruptuar, një mjekësi familjare primare jo të korruptuar. Problem janë tenderët, problem mbetet prokurimi publik, problem mbetet fusha ku zyrtarët e pandërgjegjshëm po tentojnë të përfitojnë shumë dhe shpejtë”, ka theksuar Preteni për “REL”.
Preteni thotë se janë investimet kapitale të cilat në shumicën e rasteve kanë dështuar për shkak të parregullsive në fushën e prokurimit publik.
Ekspertët në Kosovë thonë se niveli i lartë i korrupsionit në fushën e prokurimit publik vlerësohet të ketë pasur efekte negative edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai ka shtuar se vetë përfaqësuesit e disa shoqatave ekonomike në Kosovë, kanë treguar se ka raste të shumta që bizneset ankohen për parregullsitë në fushën e tenderëve.