Sot para palëve të interesuara u prezantua projekti që ndihmon në zgjidhjen e një prej problemeve kryesore brenda trafikut në Prishtinë – problemin e parkingjeve. Bëhet fjalë për parkingun nëntokësor te Fakulteti i Filologjisë, parking ky që pritet të ketë kapacitet për paku 500 automjete.
Lokacioni në qendër të qytetit, me ç’rast edhe sheshi edhe rrugët tjera kryesore janë afër, është një nga përparësitë e mëdha që nxisin shndërrimin e kësaj hapësire në parking të përshtatshëm nëntokësor. Investitori që do ta bëjë ndërtimin, ka për obligim që hapësirën mbi parking ta shndërrojë në park publik me qasje për gjithë, dhe ajo hapësirë më pas lidhet me shëtitoren që planifikohet të zgjatet nga sheshi deri tek udhëkryqi pranë Katedrales.
Sipërfaqja e ndarë për këtë projekt është 13,990 metër katror, dhe me planin rregullues mund të shkohet në dy nivele nën tokë. Rreth 500 metra katror në këtë hapësirë, janë të ndara për pjesën komerciale, ashtu që të shfrytëzohet disniveli aktual që është brenda parcelës.
Së shpejti, Komuna e Prishtinës do ta fillojë procedurën e kualifikimit, e cila i paraprinë procedurës së ofertimit për projektin në fjalë. Vlera e parashikuar për ndërtimin e këtij parkingu përmes Partneritetit Publiko-Privat është 12 milionë euro.