Prezantuesi i radios në Filipine vritet gjatë transmetimit

Prishtinë | 05 Nën 2023 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Një radio prezantues në Filipine është qëlluar për vdekje gjatë transmetimit direkt, raporton BBC.

Juan Jumalon, i njohur si DJ Johnny Walker, u qëllua brenda studios, të cilën e kishte në shtëpi, ka njoftuar Policia.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Romualdez Marcos Jr. ka dënuar fuqishëm vrasjen e gazetarit të radios.

Katër gazetarë janë vrarë që kur Marcos Jr. mori mandatin në qershor të vitit 2022, ka thënë Asociacioni i Gazetarëve të Filipineve.

“Sulmi është edhe më i dënueshëm pasi ndodhi brenda shtëpisë së Jumalonit, që shërbente edhe si radio stacion”, ka thënë Asociacioni.

Jumalon po transmetonte direkt në Facebook rreth orës 5:30 me kohë lokale, kur një person u fut brenda dhe e qëlloi.

Sipas burimeve nga policia, i dyshuari kërkoi të futej te vendi ku po transmetonte Jumalon, duke thënë se “ka diçka të rëndësishme për të thënë”.

Policia ka njoftuar se ka siguruar xhirimet e ngjarjes.

Bashkëshortja e dërgoi DJ në spital, por ai nuk i mbijetoi plagëve.

Policia ka thënë se nuk ka pasur ndonjë raportim të mëhershëm për kërcënime me jetë ndaj Jumalonit.

Presidenti i Filipineve ka bërë thirrje që të hetohet plotësisht rasti dhe fajtorët të sillen para drejtësisë.

Të ngjashme