Prindërit bëjnë kërkesë për pushim të nxënësve në fillim të janarit, Nagavci e refuzon

Prishtinë | 30 Dhj 2022 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Prindërve i Kosovës ka njoftuar se ka kërkuar që pushimi për nxënësit që është planifikuar të mbahet nga 27 janari e deri më 2 shkurt të vitit 2023, të mbahet më 4,5 dhe 6 janar, por që sipas tyre ministrja e Arsimit, Nagavci e ka refuzuar këtë kërkesë me arsye se “ka procedura administrative.”

Këshilli i Prindërve i Kosovës ka kërkuar që pushimi për nxënësit që është planifikuar të mbahet nga 27 janari deri më 2 shkurt të vitit 2023, të zhvendoset më 4, 5 dhe 6 janar.

Mirëpo ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci këtë kërkesë e ka refuzuar për arsye të procedurave administrative.

“E kemi menduar të përshtatshme, e për këtë kemi pasur shumë kërkesa nga prindërit (sidomos nga Prishtina) që të ndryshohet pushimi i fundit të janarit 2023. Propozimi i Këshillit të Prindërve ishte që ditët e planifikuara për pushim prej 27 janarit e deri më 2 shkurt 2023 të zhvendosen e të bëhet pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023. Kjo meqë (tradicionalisht) për vitin e ri ka më shumë frymë festive e pushimesh dhe kemi shumë mërgimtarë që vizitojnë Kosovën”, thuhet në njoftimin e Këshillit në Facebook.

Tutje thuhet se “Me këtë kërkesë, e me këto arsye, i jam drejtuar Ministres së Arsimit, znj. Arbërie Nagavci. Por, Ministrja Nagavci e ka refuzuar kërkesën, duke dhënë arsyetime procedurash administrative. Gjykoj se kërkesa e Këshillit të Prindërve ka qenë e arsyeshme e mundshme për t’u realizuar por nuk ka pasur vullnet nga Ministrja për ta bërë këtë”.

Ndër të tjera, Këshilli ka kërkuar nga prindërit e nxënësit që të respektojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe më 4 janar të vazhdojë mësimi.

“Shkollat do të jenë të hapura prej 4 janarit 2023 dhe mësimdhënësit do të detyrohen të jenë në shkolla në ato ditë pune. Andaj mungesa e nxënësve vetëm ua komplikon proceset mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollave, për çka nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar. (Kuptohet që ky fakt nuk mund të krahasohet me mësimin e planifikuar gjatë të shtunave, kur edhe prindërit edhe fëmijët e edhe mësimdhënësit e kishim pushim me legjislacionin në fuqi.)”, thuhet tutje.

Të ngjashme