Siç edhe pritej, në shtatorin e 2023-ës punimet në shkollën “Dardania”, në Prishtinë nuk përfunduan, ani se kështu ishte paraparë. Puna e plotë s’u krye as në mars të 2024-ës, sikur pati shkruar në faqen e saj në Facebook në gusht të vitit të kaluar, ish-drejtoresha e arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati.
Në fakt, të rinovuar tërësisht shkollën “Dardania” në Prishtinë nuk e gjeti as shtatori i 2024-ës.
Për pasojë, këtu vazhdon të mbahet mësim me orar të shkurtuar, në tri ndërrime, gjë që po shkakton tollovi. Orari që nisë në 07:30 të mëngjesit dhe që mbaron në 18:30 të mbrëmjes, bëri që nxënësit e klasave të dyta, me orar ora 15:00-18:30, të bojkotojnë mësimin nga e hëna e 16-të shtatorit. Bojkotimi i mësimit në shkollën “Dardania”, ndonëse u tha se do të vazhdojë, u ndërpre një ditë më pas. Nxënësit u rikthyen sërish në mësim, me shpresën se rinovimi do të përfundojë shpejtë, e këtu të kthehet normaliteti.
Në fakt, më herët, deri në fillimin e vitit të ri shkollor, disa klasa të “Dardanisë”, kishin vijuar mësimet në objektin e “Xhemajl Mustafës”, që nuk ndodhet larg. Por, kur kjo e fundit u përfshi në reformën e mësimit terë ditor, ato u desh të kthehen në mësonjëtoret e vjetra.
Nga drejtoria e shkollës por edhe ajo e arsimit në kryeqytet, po thonë se nëntori është muaji që do të sjellë stabilitet të plotë për nxënësit e “Dardanisë”.