Prishtina e Drita kërkojnë rikthimin te suksesi

Prishtinë | 03 Tet 2018 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Pas sfidës mes Ferizajt dhe Drenicës, të vlefshme për javën e 8 të IPKO Superligës në Kosovë dhe të fituar nga vendasit me rezultatin 2-0, sot kampionati kosovar i futbollit do të vijojë me 3 sfida të tjera.

Kështu Drita do të zbresë sërish në stadiumin e Gjilanit, por këtë herë për të harruar humbjen në derbi dhe për t’u rikthyer te 3-pikëshi, aq shumë i nevojshëm pas një starti për t’u harruar.

Kampionët në fuqi, të drejtuar nga tekniku Shpëtim Duro, do të presin skuadrën nga Mitrovica, Trepça ’89, e cila gjithashtu e ka nisur keq sezonin dhe ka nevojë për pikë, që të mos humbë kontaktet me skuadrat kryesuese.

Prishtina e Mirel Josës do të udhëtojë drejt Prizrenit, ku po në orën 15:30 do të përballet me vendasit e Lirisë, në një sfidë ku 3 pikët janë detyrim, pasi skuadra vjen pas dy ndeshjesh radhazi pa fitore dhe ka 5 pikë më pak sesa Feronikeli kryesues.

Sfida më interesante e javës në IPKO Superliga do të luhet në Podujevë, ku vendasit e Llapit do të presin skuadrën nga Drenasi, Feronikelin. Ajo që e bën të veçantë këtë sfidë, është se skuadra e vendit të dytë, do të përballet me kryesuesen aktuale të kampionatit/supersport.al

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme