Me rezultat bindës e ka fituar Z Mobile Prishtina ndeshjen e parë ndaj Donar Groningenit, në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve në basketboll.
Të enjten mbrëma në Prishtinë, skuadra e kaltër fitoi me plot 20 pikë dallim, 84:64, ndaj skuadrës holandeze. Të premten skuadra prishtinase ka udhëtuar për në Holandë, kurse të shtunën (sot) nga ora 20:00 luhet ndeshja e dytë, përkatësisht e kthimit.
Prishtina, falë fitores bindëse në ndeshjen e parë, vlerësohet të jetë dukshëm më pranë kalimit tutje. Por trajneri gjerman i Prishtinës, Matthias Zollner, nuk merr asgjë të garantuar. Ai thotë se ka përfunduar vetëm pjesa e parë.
Zollner është vetëm një prej shumë fytyrave të reja te Prishtina. Skuadra prishtinase ndër të tjera ka ndërruar parashtesën. Më nuk quhet Sigal Prishtina, por Z Mobile Prishtina. Edhe përbërja është thuajse tërësisht tjetër në krahasim me edicionin e kaluar.
Ishin lojtarët e rinj të huaj ata që udhëhoqën Prishtinën drejt fitores së parë në Champions, që është gara kryesore e FIBA-s për klube evropiane, por vetëm e treta për nga cilësia, pas Euroligës dhe Euro Cup.