Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, është para ndeshjes më të rëndësishme të stinorit në FIBA Europe Cup. Të mërkurën (sot, 19:00), në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, e pret ekipin nga Gjermania, Medi Bayreuth.
Nëse e mposht me nëntë pikë epërsi, siguron kalimin në fazën tjetër të garave, e nëse humb apo fiton me më pak se nëntë pikë epërsi, atëherë e mbyll për këtë vit në këtë garë. E ndeshjen vendimtare, Prishtina duhet ta luajë pa lojtarët vendimtarë. Lideri Dardan Berisha dhe kapiteni Edmond Azemi nuk do të jenë as në këtë ndeshje, pasi mbetën të suspenduar për shkak të kacafytjes mes vete në një ndeshje kampionale të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Ndeshjen e parë në Gjermani, Prishtina e humbi 97:89 dhe tash i duhet një fitore me të paktën nëntë pikë epërsi për të siguruar vendin e dytë në Grupin C. Kjo është ndeshje e xhiros së pestë dhe e gjashta nuk pritet të luajë rol të madh.
Azemi e Berisha i munguan Prishtinës edhe në dy ndeshjet e fundit, përfshirë atë kundër APOEL Nicosias, të cilën klubi kosovar e fitoi thellë javën e shkuar në Qipro.