Triumfi në udhëtim ndaj Feronikelit të mërkurën, ka bërë që Prishtina të kërkojë më me ngulm fitoren kundër Gjilanit, në ndeshjen derbi të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll që luhet këtë vikend.
Dueli mes Prishtinës dhe Gjilanit zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe nis në orën 13:30. Skuadra e Prishtinës në këtë ndeshje futet pas dy fitoreve rresht. Para Feronikelit (2:1) ka triumfuar bindshëm ndaj skuadrës së Besës (4:0). Prishtina aktualisht është e dyta në tabelë me 11 pikë, tetë më pak se Ballkani që është lider dhe ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Ndërkohë, Gjilani renditet në pozitën e pestë me dhjetë pikë, shkruan KOHA.
Te Prishtina janë optimistë për ndeshjen me Gjilanin dhe duan të vazhdojnë edhe me fitoren e tretë rresht. Kështu ka insistuar mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi, të premten për KOHËN. Ai ka shtuar se Prishtina është maksimalisht e motivuar dhe synimin e vetëm në këtë përballje e ka marrjen e pikëve të plota.
“Është një ndeshje shumë e vështirë dhe pres një derbi të fortë, duke u bazuar në cilësinë e të dyja skuadrave. Fitorja ndaj Feronikelit ishte shumë e rëndësishme dhe mund të them se na ka motivuar shumë për të vazhduar me një seri të tillë. Kështu që ndaj Gjilanit do të japim më të mirën nga vetja për pikët e plota pasi kjo fitore do të ishte shumë e rëndësishme për vazhdimin e kampionatit”, është shprehur Krasniqi.
Skuadra e trajnerit Gentjan Mezani nuk di për fitore në dy ndeshjet e fundit, të cilat i ka luajtur pa gola me Trepçën ’89, përkatësisht Dritën. Megjithatë, edhe Gjilani e ka parasysh rëndësinë e duelit me Prishtinën dhe për në kryeqytet nuk do të udhëtojë me “flamur të bardhë”. Madje, sulmuesi Darko Nikaq ka insistuar se Gjilani po synon t’u kthehet fitoreve pas dy barazimeve pa gola.
“Mendoj se Prishtina ka një ekip cilësor dhe sigurisht se nuk do të jetë lehtë për ne pasi ajo luan në shtëpi dhe ka këtë përparësi. Prishtina në shtëpi është shumë e fortë dhe ne këtë e kemi parasysh. Mirëpo, jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe synimi është që të fitojmë pasi me këtë qëllim futemi edhe në të gjitha duelet e tjera”, ka thënë Nikaq. “Kështu që për të arritur synimin tonë, ne duhet të angazhohemi maksimalisht dhe të mos dorëzohemi për asnjë moment. Besoj se do të jetë një derbi i vërtetë, ku në fund Gjilani do të dalë fitues”.
Gjysmë orë pas derbit në Prishtinë, zhvillohet edhe një ndeshje tjetër që edhe e mbyll këtë xhiro. Në Mitrovicë skuadra e Trepçës ’89 e pret Ballkanin, ekipin e vetëm që këtë edicion nuk di për humbje.