Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka caktuar terminin e ndeshjes së fundit kampionale të Vala Superligës së Kosovës në futboll, Prishtina – Drita. Por ende nuk është caktuar vendi se ku do të zhvillohet ndeshja e fundit e këtij edicioni, që vendos për titull të kampionit.
Për këtë është përgjegjëse Prishtina si klub vendas. Dhe duhet të vendosë më së largu sot (e enjte), shkruan sot Koha Ditore.
Derbi është caktuar të luhet të dielën nga ora 16:00 dhe me gjasë në Pejë, ku Prishtina i zhvilloi të gjitha ndeshjet e stinorit pranveror. Do të jetë edhe ndeshja e vetme që do të luhet të dielën, meqë të tjerat do të luhen të shtunën e të premten.
Në klubin Prishtina thonë se ende nuk kanë një vendim përfundimtar se ku do të luajnë kundër Dritës. Pos Pejës thonë se kanë opsion edhe stadiumet e Flamurtarit dhe të KEK-ut. Ndërkohë në rrjetet sociale është përmendur edhe Vushtrria si opsion.