Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka nënshkruar sot një marrëveshje mirëkuptimi për zhvillimin e sektorit të turizmit në rajonin e Prishtinës, transmeton Ekonomia Online.
Kjo marrëveshje u nënshkrua me projektin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim që implementohet nga Swisscontact.
Përmes një komunikate për medie komuna e Prishtinës thotë se përmes drejtorisë për Kulturë e Sport ka për synim zhvillimin e turizmit krahas investimeve në infrastrukturën kulturore në qytet dhe ruajtjen e trashëgimisë.
“Prandaj, do të investohet në restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe do të themelohen dy muze për promovimin e artit bashkëkohor të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Përmes këtij projekti, Swisscontact do të bashkëpunojë me komunën e Prishtinës në zhvillimin e strategjisë për turizëm, gjetjen e modeleve të menaxhimit efikas të monumenteve, trajnimin e guidave dhe zhvillimin e produkteve turistike duke kontribuar kështu në rritjen e të hyrave dhe të punësimit.