Prishtina huazon Osmanin te Drita

Prishtinë | 10 Jan 2019 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

Klubi i Prishtinës ka konfirmuar se mbrojtësi Përparim Osmani është huazuar te kampionia aktuale e Superligës, Drita.

Përmes një komunikate, Prishtina ka bërë të ditur se 30-vjeçari ka kërkuar lirimin nga klubi shkaku i mungesës së hapësirës te kryeqytetasit me të cilët ka kontratë deri në qershorin e vitit 2019.

“Nuk ka qenë e lehtë, aspak e lehtë, që të largohem nga një klub shumë mirë i organizuar me një kolektiv shembullor. Mirëpo futbolli i ka këto gjëra dhe besoj nuk ka asnjë të keqe, sepse të dy palët kemi qenë shumë korrekt. Te Prishtina kam kaluar momente jashtëzakonisht të mira dhe jam krenar që kam qenë pjesë e Prishtinës, sidomos në paraqitjet dy vite rresht në Evropa Ligë”, ka thënë Osmani.

“E falënderoj udhëheqjen e klubit, stafin e trajnerëve dhe të gjithë bashkëlojtarët për çastet e mira të kaluara për një vit e gjysmë duke u dëshiruar sukses dhe më në fund të rikthejnë sërish titullin e kampionit në kryeqendër”, ka thënë ai.

Osmani për Prishtinën ka regjistruar për një vit e gjysmë 29 ndeshje zyrtare duke asistuar në dy gola, ndërsa është paraqitur edhe në tre ndeshje ndërkombëtare në Evropa Ligë.

Osmani me Prishtinën ka fituar një trofe, gjegjësisht Kupën e Kosovës më 2017/18.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme