Në indeksin e transparencës komunale të publikuar nga OJQ “Ec më ndryshe” Prishtina ndan vendin e parë për transparencë komunale, pa asnjë vlerësim negativ.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, morri pjesë në tryezën “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale 2015-2016” organizuar sot në Prizren nga OJQ “Ec më ndryshe”.
Në fjalën e tij, Dardan Sejdiu tha se qysh nga fillimi i qeverisjes në vitin 2013, njëri nga zotimet ka qenë transparenca radikale, në mënyrë që qytetari të ketë qasje në çdo vendim të Komunës dhe ai në një mënyrë të bëhet hisedar i qeverisjes.
Sejdiu foli për platformat digjitale të Komunës së Prishtinës në të cilat çdo qytetar ka qasje në vendimet e Komunës, rekrutimin e punëtorëve, si dhe tenderët në procesin e prokurimit, por edhe për dëgjimet publike, ku Kryetari i Komunës, por edhe ekzekutivi në përgjithësi takon dhe komunikon drejtpërdrejtë me qytetarin, për problemet që ata i mundojnë dhe shqyrtojnë bashkërisht zgjidhjen e atyre problemeve.
Kësisoj vetëm në vitet 2015-2016 Komuna e Prishtinës i ka organizuar mbi 80 dëgjime publike.
Nënkryetari Sejdiu foli edhe për Planin e Integritetit, të sponsorizuar nga UNDP-ja, për të luftuar korrupsionin në Komunë. Në këtë aspekt ai përmendi disa procese të rëndësishme që po bëhen me bashkëpunimin dhe qasje të plotë të shoqërisë civile, siç është Plani i Mobilitetit për Prishtinën, Ndarja e Banesave Sociale, dhe hartimi i ri Planit të Veprimit.