As një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit për kryeqytetin, Prishtina nuk zbaton asnjë lloj takse shtesë, siç e definon dhe e lejon akti i saj më i lartë ligjor.
Ndonëse ishte promovuar së tepërmi fillimi i zbatimit të një takse të gjelbër, e cila synohej të vihej së pari në funksion të mbrojtjes së ambientit nga akterët që llogaritet se e dëmtojnë atë, e pastaj edhe në funksion të rritjes së të hyrave vetjake, që do t’i ktheheshin kryeqytetit në investime, rezulton se Prishtina madje do të heqë dorë krejtësisht nga ajo, shkruan sot Koha Ditore.
Pika 8 e nenit 19 të Ligjit për kryeqytetin përcakton se “Kryeqyteti cakton taksë shtesë për kryeqytetin”, por kryeqyteti nuk zbaton asnjë lloj takse shtesë, as një vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Një gjë të këtillë e konfirmon edhe vetë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili në një deklaratë për “Kohën Ditore” ka thënë se deri në fund të vitit do të vendoset nëse Prishtina do të zbatojë taksë shtesë dhe çfarë do të jetë ajo.
Ai ka theksuar se ndonëse nuk është e theksuar në mënyrë specifike as në ligjin për llojin e taksave shtesë, ideja ka qenë se a mund t’i jepet Komunës së Prishtinës e drejta për të shtuar taksa, dhe se kjo çështje duhet të përcaktohet edhe përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Financave, dhe konform Ligjit për Financat Publike.