157 maturantë nga shkollat e mesme të Prishtinës nuk kanë arritur t’i nënshtrohen pjesës së parë të Testit të Maturës që u mbajt këtë javë.
Kjo për shkak se ata nuk kanë arritur të marrin notë kaluese në disa lëndë dhe fillimisht do të mbajnë provimet kaluese në ato lëndë mësimore që nuk kanë treguar sukses, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Ndërsa, rreth 3,870 maturantë të tjerë iu nënshtruan testit në afatin e parë të mërkurën.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ka thënë se procesi ka shkuar mirë dhe se pret rezultate të mira.
Në Prishtinë sfidë do të jetë edhe këtë vit pranimi i nxënësve që nuk janë banorë të kësaj komune.
Nagavci ka thënë se edhe këtë vit në afatin e parë do të kenë përparësi nxënësit e Prishtinës.
Kjo, sipas saj, po bëhet për ta eliminuar një padrejtësi.
Edhe njohësit e çështjeve të arsimit thonë se një hap të tillë sikurse Prishtina, do të duhej ta merrnin edhe komunat e tjera.
Afati i dytë i testit të maturës do të mbahet më 24 korrik.