Skuadra e Prishtinës nuk do të dalë në fushë për të mbrojtur rezultatin e ndeshjes së parë ndaj FC Europa, por do të kërkojë fitoren për të avancuar tutje në garat evropiane.
Prishtina, që javën e shkuar barazoi 1:1 në Gjibraltar në ndeshjen e parë të fazës parakualifikuese të Ligës së Evropës, të enjten (sot) do ta luajë ndeshjen e kthimit. Kjo ndeshje do të zhvillohet prej orës 17:00 në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, shkruan sot Koha Ditore.
Dueli i parë në Gjibraltar përfundoi 1:1, falë golit të Meriton Korenicës. Prishtinës në ndeshjen e kthimit i shkon për shtati edhe barazimi pa gola, por ajo do të dalë në fushë për fitore, të parën në ndeshje evropiane. Vjet pësoi dy humbje nga Norrkopingu i Suedisë.
Në rast të kalimit në raundin e parë eliminator, Prishtina do të përballet me skuadrën nga Luksemburgu, Fola Esch.