Prishtina rritet, por po plaket, banesat u shtuan katër herë më shpejt se popullsia

Prishtinë | 19 Kor 2026 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

Prishtina po bëhet më e madhe, më urbane dhe më e arsimuar. Por Regjistrimi i Popullsisë 2024 zbulon edhe anën tjetër: banesat janë shtuar shumë më shpejt se banorët, familjet janë zvogëluar, fshatrat kanë humbur banorë dhe popullsia po plaket.

Sipas profilit të ri komunal të Agjencisë së Statistikave, Prishtina kishte 227 mijë e 466 banorë në vitin 2024, nga 198 mijë e 897 në vitin 2011. Rritja prej 14,4 për qind shkon në drejtim të kundërt me Kosovën, popullsia e së cilës ra për 10 për qind.

Prishtina në shifra

Rritja që po e ndryshon kryeqytetin

Prek ose kliko treguesin për ta krahasuar.2011 → 2024Prishtina / KosovaPopullsia+14,4%rritje nga 2011Njësitë e banimit+56,0%rritje nga 2011Banorët mbi 80 vjeç+112,8%rritje nga 2011

Ndryshimi

Popullsia

+14,4%

198 897 → 227 466 banorë

Treguesi20112024Ndryshimi

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës, Regjistrimet 2011 dhe 2024.

Kryeqyteti është bërë pothuajse tërësisht urban. Pjesa e banorëve që jetojnë në zona urbane u rrit nga 81,3 në 90,1 për qind, pjesërisht edhe nga ndryshimi i statusit të disa vendbanimeve.

Por zona urbane u zgjerua më shpejt se popullsia, prandaj dendësia ra nga 4 mijë e 698 në 4 mijë e 465 banorë për kilometër katror. Në zonat rurale, ajo ra nga 76 në vetëm 47.

Më shumë banesa, më pak të banuara

Kontrasti më i fortë gjendet te banimi. Numri i njësive të banimit u rrit nga 59 mijë e 420 në 92 mijë e 703, apo rreth 56 për qind. Pra, banesat u shtuan gati katër herë më shpejt se popullsia.

Megjithatë, vetëm 66,2 për qind e tyre figuronin të banuara në vitin 2024. Në pjesën urbane, kjo shkallë ra nga 75,7 në 65,4 për qind.

Madhësia mesatare e familjes ra nga 4,9 në 3,9 anëtarë, ndërsa familjet njëanëtarëshe u shtuan nga 4,2 në 9,8 për qind.

Rritje me më pak të rinj

Popullsia u rrit, por numri i fëmijëve 0–14 vjeç ra për 2,4 për qind dhe ai i të rinjve 15–24 vjeç për 2 për qind.

Ndërkohë, grupmosha 65–79 vjeç u rrit për 76,8 për qind. Numri i banorëve mbi 80 vjeç u rrit për 112,8 për qind, duke u më shumë se dyfishuar.

Sipas skenarit mesatar të ASK-së, Prishtina pritet të arrijë në 243 mijë e 251 banorë më 2040. Por rritja pothuajse ndalet në fund, me vetëm 30 banorë më shumë ndërmjet viteve 2039 dhe 2040.

Deri atëherë, numri i fëmijëve pritet të bjerë rreth 16 për qind, ndërsa ai i personave mbi 80 vjeç pothuajse të dyfishohet.

Më e fortë ekonomikisht, por me hendek të madh

Në Prishtinë, 82,9 për qind e popullsisë 25–64 vjeç kishte përfunduar së paku arsimin e mesëm të lartë, kundrejt 62,5 për qind në Kosovë.

Pjesëmarrja në fuqinë punëtore ishte 69,9 për qind, ndërsa papunësia 5,7 për qind, shkalla më e ulët ndër komunat sipas Regjistrimit 2024.

Por hendeku gjinor mbetet i madh. Në fuqinë punëtore merrnin pjesë 81,7 për qind e burrave dhe vetëm 59 për qind e grave. Sipas këtyre shifrave, kryeqyteti del ekonomikisht më i fortë se pjesa tjetër e vendit.

Të ngjashme