Komuna e Prishtinës, si më e madhja në Kosovë dhe si kryeqytet nuk ia ka dalë t’i përmbushë disa nga kriteret bazë që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), e cila parasheh marrjen e një varg masash dhe reformash me qëllim të integrimit në Bashkimin Evropian (BE), një numër jo i vogël i të cilave bie nën përgjegjësinë e Komunave të Kosovës.
Kjo marrëveshje, e cila është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës në nëntor të 2015-s, obligon komunat që të punojnë në një sërë fushat për të përmbushur kriteret për integrime evropiane, që nga reforma e Administratës publike në nivel lokal, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, mbrojtja e tokës bujqësore dhe resurseve pyjore, zbatimi i rekomandimeve të auditorit, mbrojtja e shëndetit publik, etj, shkruan sot Koha Ditore.
Por, pikërisht në këto fusha, komunat kanë shënuar ngecje, duke mos i përmbushur ato dhe ndër to është edhe Komuna e Prishtinës, thuhet në një raport që ka nxjerrë së fundmi instituti Gap.
Sipas këtij raporti, Komuna e Prishtinës ende nuk ka zyrë për integrime evropiane, por ka punuar vetëm një person, e ngarkuar me funksionin e zyrtares për integrime evropiane që bën pjesë në kabinetin e kryetarit të Komunës.