Prej disa ditësh, qytetarët kanë vërshuar nëpër farmaci e markete për të blerë maska dhe desinfektantë.
Lidhur me këtë çështje për Ekonomia Online janë prononcuar disa qytetarë, të cilët po e konsiderojnë shqetësuese gjendjen në të cilën jemi tani, ku çdo ditë e më shumë po afrohet Coronavirusi.
Asllan Zjasha nga Prishtina thotë se përhapja e këtij virusi po rrezikon gjithë botën dhe poashtu edhe Kosovën, andaj kërkon përkujdesje më të madhe të pastërtisë.
‘’Unë personalisht nuk kam frikë. Coronavirusi paraqitet rrezik në botë. Pastërtia duhet të jetë në nivel të duhur’’.
Sipas Gani Musliut, nuk përjashtohet mundësia e ardhjes së këtij virusi vdekjeprurës edhe në Kosovë.
Thotë se ende nuk ka siguruar maska, por e konsideron të rëndësishme ruajtjen e shëndetit.
‘’Nuk kam frikë nga coronavirusi dhe as maska nuk kam marrë. Duhet ta mbajmë pastërtinë në nivel, me ruajt shëndeti. Nuk përjashtohet mundësia me ardh edhe në Kosovë. Po sigurisht këtu nuk është një gjendje alarmante, tek ne ka pasur raste të dyshimta por rezultatet kanë dalë negative’’.
Sipas Rrahman Rrahmanit nuk duhet të frekuentojmë vendet publike, në mënyrë që të evitojnë infektimin e mundshëm me këtë virus.
‘’Ende nuk jemi të rrezikuar por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitemi. Duhet të ruhemi të mos dalim në vende publike. vetëm duhet të kemi kujdes’’.
Edhe Haki Barileva po mendon se Coronavirusi do të mbërrijë edhe në Kosovë. Për këtë ai kërkon angazhim institucional.
‘’Italia është shumë afër mundet brenda ditës mu përhapë shumë. Ne nuk jemi të përgatitur sa duhet. Kur Italia nuk mundi të përgatitej na edhe më pak. Mundet edhe tek ne me ardh shumë shpejt në Kosovë dhe mund të përhapet shumë shpejt sepse ne nuk dimë të ruhemi. Në Kinë është bllokuar vendi edhe pse ata janë shumë të përgatitur ndërsa ne shumë pak’’, thotë ai.
Hajrie Zhegrova, kërkon nga Ministria e Shëndetësisë të jenë të organizuar që të ndërmarrin masat e duhura kundër këtij virusi.
‘’Varet prej ministrisë së shëndetësisë sa janë të organizuar, që popullata të moshuarit mund të preken më shumë. Por duhet të jemi të mobilizuar. Prej virusit është shumë vështirë të ruhemi. Kam marrë maska dhe disa antibiotikë’’., thotë ajo.
Ekonomia Online ka vizituar disa barnatore në kryeqytet ku në asnjërën prej tyre nuk ka gjetur maska apo pasa tjera mbrojtëse.
Farmacistja Lauresha Juniku, prapa kamere thotë se edhe pse ka mungesë të maskave, kërkesat janë të shumta nga qytetarët.
‘’Maska nuk ka, kërkesat janë të shumta. Janë çdo depo maskat, por për momentin janë harxhuar”, thotë ajo.
Dje, por edhe sot në QKUK janë trajtuar disa raste të dyshimta me Coronavirus. Por që nuk kanë rezultuar me këtë virus.