Policia e Kosovës ka lokalizuar dhe arrestuar personin që dyshohet se e shkaktoi një aksident trafiku në kryeqytet dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
Sipas Policisë, i dyshuari ka rezistuar gjatë arrestimit, duke u shkaktuar lëndime të lehta dy zyrtarëve policorë.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.
Ai tha se arrestimi i të dyshuarit ka ndodhur pas një aksidenti që ka ndodhur sot rreth orës 16:00 në rr. “Tirana”, në lagjen Lakrishte.
Në aksident ishin përfshirë një motoçikletë “Scuter” pa tabela dhe një automjeti.
Sipas Daut Hoxhës, vozitësi i “Scuter”-it ka tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes.
Gjatë kontrollimit të motoçikletës, në bagazh është gjetur sasi e dyshuar e materialit /substancës që mbetet të verifikohet nga njësitet kompetente, ndërsa rasti i aksidentit procedohet sipas procedurave ligjore, ka thënë zëdhënësi i Policisë.