Janë bërë gati 4 vjet që kur ishte përmendur miratimi i një ligji të veçantë për punëtorët e arsimit që punuan gjatë viteve 1990/99.
Ndonëse Projektligji është përgatitur, ai ende nuk është finalizuar me arsyetimin se ka pasur mungesë të mjeteve financiare.
Hartuese e këtij projektligji është Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Sipas Projektligjit, përveç mësimdhënësve të asaj kohe, do të përfitojnë edhe pronarët e shtëpive që kishin lëshuar objektet e tyre për mbajtjen e mësimit, derisa një pjesë të pagës ishte thënë se do të marrin edhe punëtorët teknikë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se do të presin edhe këtë javë dhe nëse nuk do të ketë hapa konkretë do ta shqyrtojnë mundësinë e grevës në arsim.
Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka thënë për gazetën se Projektligji është duke u diskutuar dhe po presin që brenda shkurtit të definohet gjithçka në planin e ekspertëve dhe në planin politik që Ligji të procedohet në Qeveri e pastaj të shkojë në Kuvend. (Koha Ditore)