Më 19 gusht të vitit 2017, përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e mposhti Estoninë në Prishtinë për t’iu bashkuar asaj në raundin e parë kualifikues për Botërorin që mbahet pas disa javësh në Kinë (31 gusht – 15 shtator).
Ishte fitorja që siguroi suksesin e parë për përfaqësuesen e Kosovës – kalimin me sukses të parakualifikimeve për botëror. Fitores me Estoninë (75:69) i kishte paraprirë fitorja me Maqedoninë, po ashtu në Prishtinë më 2 gusht të atij viti, me rezultatin 72:68. Kështu Kosova me dy fitore e dy humbje kishte avancuar tutje, ndërsa kishte lënë pa kualifikim Maqedoninë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ai sukses ishte pritur të jetë shtytje për suksese të tjera të Kosovës, edhe më të mëdha. Por nuk ndodhi ashtu. Prej atëherë Kosova është në pritje të fitores së re. Madje ka luajtur me përfaqësuese më të dobëta se Maqedonia e Veriut dhe Estonia, por nuk ka fituar dot ndaj tyre.
Të shtunën, Kosova nisi fushatën në raundin e tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”. Është kjo përpjekja e fundit për të dalë në kualifikimet e rregullta për Evropianin e ardhshëm. Por është përpjekje që nisi keq. Kosova pësoi nga Luksemburgu në udhëtim me shifrat 88:80 dhe kështu ka vështirësuar shumë punën për të fituar grupin. Vetëm fituesi i grupit kalon në kualifikimet e rregullta. Sajti zyrtar i FIBA-s ka vlerësuar se gjasat e Kosovës për të fituar grupin tashmë janë të vogla. Menjëherë të mërkurën mbrëma (20:30), Kosova luan në palestrën “Minatori” në Mitrovicë ndaj Britanisë së Madhe, që është favorite e grupit. Më pas më 14 gusht e pret Luksemburgun dhe më 17 gusht luan në Manchester ndaj Britanisë së Madhe.