Procedurat disiplinore ndaj prokurorëve e gjyqtarëve – rritet numri i rasteve, kërkohet ndryshimi i ligjit

Prishtinë | 30 Kor 2021 | 11:42 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtësia Sot, platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur   konferencë për medie në të cilën u shpalosën të gjeturat e analizës “Natyra e çështjeve disiplinore në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës dhe funksionimi i mekanizmit disiplinor”, raporton Ekonomia Online.

Rreze Hoxha-Zhuja tha se në këtë analizë, Drejtësia Sot pasqyron mënyrën e funksionimit të mekanizmit disiplinor nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve e deri në muajin maj të këtij viti.

Sipas saj, të gjeturat e analizës tregojnë se në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021, ka një trend të rritjes së numrit të ankesave dhe kërkesave për fillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit, në raport me vitin 2020.

“Të dhënat zyrtare për periudhën 1 janar deri më 30 qershor 2021, tregojnë se KPK ka aprovuar të gjitha kërkesat për fillim të procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit, e më pas për të njëjtat ka krijuar Panele Hetimore”.

Sipas saj, KPK-ja ka publikuar vendimet të marra nga Gjykata Supreme ndaj vendimeve disiplinore të ankimuara, përderisa një praktikë e tillë nuk është vërejtur nga ana e KGjK-së

“KPK mban një praktikë shumë të mirë të publikimit të vendimeve të marra nga Gjykata Supreme ndaj vendimeve disiplinore të ankimuara të KPK-së, duke ofruar kështu një pasqyrë të plotë dhe të qasshme për publikun. Një praktikë e tillë nuk është vërejtur nga ana e KGjK-së, ku vendimet e marra nga Gjykata Supreme nuk janë të publikuara as në uebfaqen e KGJK-së e as në atë të Gjykatës Supreme. Ndërsa sa i përket procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve, ueb portali i KGJK-së përmban një indikator të  posaçëm me statistika disiplinore dhe vendimet disiplinore të ndara nga vendimet e tjera të Këshillit, duke  ofruar kështu një qasje më të lehtë për qytetarët. Një mundësi e tillë nuk është hasur në uebfaqen e KPK-së, e cila konsiderojmë se duhet ndjekur shembullin e KGJK-së”.

Ajo më tej ka shtuar se Ligji aktual nuk ka përcaktuar qartë llojin e masës disiplinore që shqiptohet për secilën shkelje disiplinore.

Sipas saj, një situatë e tillë paraqet shkeljet të të drejtave të njeriut, përkatësisht të drejtës për ankesë ndaj vendimeve gjyqësore dhe administrative.

“Tutje, Drejtësia Sot ka gjetur se Ligji aktual nuk ka përcaktuar qartë llojin e masës disiplinore që shqiptohet për secilën shkelje disiplinore ose në rastin e arritjes së marrëveshjes për pranimin e shkeljes disiplinore. Poashtu, mbetet shqetësues fakti që palëve nuk iu mundësohet që vendimin e Gjykatës Supreme si vendim përfundimtar ta ankimojnë, respektivisht të fillojnë konfliktin administrativ. Prandaj, në këndveshtrimin tonë, një situatë e tillë paraqet shkeljet të të drejtave të njeriut, përkatësisht të drejtës për ankesë ndaj vendimeve gjyqësore dhe administrative”.

Këto janë rekomandimet e GLSP-së

1. Drejtësia Sot fton Ministrinë e Drejtësisë që të bëj ndryshim/plotësimin e Ligjit për Avokatin e Popullit ashtu që: a) Të inkuadrohen edhe kompetencat për t’i kërkuar KGjK-së dhe KPK-së fillimin e  procedurave disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe kompetencën për të ushtruar ankesë në Gjykata Supreme për raste individuale, ashtu siç e përcakton edhe Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

2. Drejtësia Sot fton Ministrinë e Drejtësisë që të inicojë plotësim/ndryshimit të Ligjit më numër Nr. 06/L – 057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ashtu që: a) Të përcaktojë autoritetin kompetent tek i cili duhet paraqitur ankesat ndaj gjyqtarëve të  Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës; b) Të përcaktojë se si duhet të evitohet konflikti i interesit ne rastet kur subjekt i procedurës  se disiplinimit janë gjyqtarë të Gjykatës Supreme, dhe të njëjtit e ankimojnë vendimin e  KGJK-së në këtë gjykatë. c) Të përcaktojë saktë subjektet të cilat konsiderohen palë në procedurën disiplinore,  subjekte këto të cilat kanë të drejtë ankimimi të vendimeve të Këshillave në Gjykatën  Supreme, duke përfshirë këtu edhe subjektin i cili fillon procedurën me ankesë pranë  Autoritetit Kompetent.

3. Drejtësia Sot fton KGJK-në që të bëjë plotësim/ndryshimin e Rregullores për Procedurën e  Ngritjes në Detyrë për Gjyqtarë, si dhe Rregullores për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve  ashtu që: a) Të përcaktojë ndikimin e sanksioneve disiplinore në procesin e avancimi (ngritjes në  detyre); b) Të përcaktojë për secilin sanksion disiplinor veç e veç kohëzgjatjen e ndikimit të tyre në  avancim, përkitazi me peshën e sanksionit; c) Të specifikojë subjektet të cilat konsiderohen palë në procedurën disiplinore në rastin e  atakimit të vendimeve të KGJK në Gjykatën Supreme, duke përfshirë këtu edhe subjektin i cili fillon procedurën me ankesë pranë Autoritetit Kompetent.

4. Drejtësia Sot fton KGJK-në dhe Gjykatën Supreme që të bëjnë publikimin e vendimeve të Gjykatës Supreme të marra në drejtim të vendimeve disiplinore të marra në shkallë të parë nga ana e KGJK-së.

5. Drejtësia Sot fton KPK-në që ta bëjë plotësim/ndryshimin e Rregullores për Transferim e  Avancim të Prokurorëve, ashtu që: a) Të ndryshojë sanksionet disiplinore dhe ndikimin e tyre në avancim përkitazi me sanksionet disiplinore të përcaktuara me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe  Prokurorëve, si dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore për Prokurorë.

6. Drejtësia Sot fton KPK-në që të bëjë përditësimin e uebfaqes së saj ashtu që të përfshijë në  brendësinë e saj një indikator te posaçëm për procedurën disiplinore ndaj prokurorëve, duke  përfshirë statistika dhe vendimet disiplinore më lehtë të qasshme për publikun. Në këtë  drejtim ftojmë KPK-në që të ndjek praktikën e mirë të uebfaqes së KGJK-së.

Të ngjashme