Prodhuesit ankohen për humbje të mëdha si rezultat i ndërprerjeve të shpeshta të rrymës, sidomos gjatë dimrit

Prishtinë | 26 Jan 2023 | 08:21 | Nga Lirigzona Nuredini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bizneset kosovare, krahas krizës ekonomike dhe shtrenjtimeve, përballen edhe me ndërprejet e paplanifikuara të energjisë elektrike, që shpeshtohen sidomos gjatë ditëve të dimrit.

Pronarët e dy kompanive të njohura kosovare, “Meka” nga Dragashi dhe “Frutex” nga Suhareka, kanë shprehur shqetësimin se dëmet që u shkakton ndërprerja e energjisë elektrike janë të mëdha.

Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka thënë për Ekonomia Online se vetëm një ndërprerje e rrymës, para disa ditësh, i ka shkaktuar dëme rreth 11 mijë euro.

Piraj thotë se megjithëse qarkullimi në vitin 2022 ishte më i lartë, fitimi ishte dukshëm më i vogël.  

“Për momentin nuk po ndalet se ne jemi me një vend ku ka prodhim të energjisë me ujë, dhe kur ka ujë ne nuk kemi shumë probleme, mirëpo kur ka mot të lig atëherë kemi probleme ndalet rryma pa paralajmërim. Për momentin me paralajmërim nuk kemi ndërprerje mirëpo pa paralajmërim kur ka mot të keq vazhdimisht sepse rrjeti është i viteve të ‘60-ta dhe që nga atëherë nuk janë të ndërruar shtyllat dhe shtyllat të kalbura dhe shpesh mund të rrëzohen shtyllat ose të bjerë ndonjë lis në to dhe do të kemi probleme të vazhdueshme”, u shpreh Piraj.

“Me të vërtetë këto janë shqetësuese se ne kemi prishje jo që s’kemi prishje dhe kemi kosto për arsyeje se kur e kyçim gjeneratorin çmimi i naftës është i shtrenjtë edhe për shkak të çmimit të naftës ne po kemi humbje. Vitin që shkoi kemi pasur rritje në qarkullim nga ana tjetër jo rritje në fitim. Fitimi ka qenë shumë në krahasim me vitin e kaluar më i vogël. E gjitha kjo shkaku i harxhimeve të paparashikueshme që po i kemi”, thotë Piraj.

Teksa ka folur për këtë problem, Piraj ka treguar për një problem që i ka ndodhur në fabrikë. Thotë se kostoja e atij defekti duke mos e llogaritur transportin e montimin, do t’i kushtojë rreth 11 mijë euro.

“Ne para pak kohe e patëm një prishje të cilën nuk mund ta dimë se a është për shkak të energjisë elektrike, për çka do të shkojmë në gjykatë, mirëpo u prish një pjesë as nuk ka qenë në ujë por është prish shkaku i rrymës ka pëlcitur dhe ajo nuk kushton as më pak e as më shumë se 11 mijë euro. Ajo është kosto e lartë, plus d.m.th do të kushtojë transporti montimi të gjitha ato kushtojnë. Këto janë kosto shumë të larta të panevojshme janë të paarsyeshme, nuk ndodhin në vende të tjera por ndodhin në Kosovë”, thotë Piraj.

Probleme me ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike ka edhe kompania “Frutex” nga Suhareka. Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, për Ekonomia Online ka thënë se nuk kanë linjë të veçantë me furnizim me prioritet por që furnizimi bëhet përmes linjës së përbashkët me gjithë komunitetin.

“Koha nuk është aq ftohtë dhe kjo ka ndikua që megjithatë mos të ketë ndërprerje të shpeshta, por gjithsesi duke marrë parasysh që ne prodhimin e kemi jashtë zonave industriale dhe nuk kemi linjë të veçantë me furnizim me prioritet, por furnizohemi me linjën e përbashkët me gjithë komunitetin”.

“Ndërprerjet e rrymës janë pothuajse gati të përditshme dhe të cilat shkaktojnë sidomos avari të ndryshme në linjat e prodhuesve, natyrisht edhe dëme të tjera sepse kur është procesi teknologjik duke vazhduar prodhimi gjithmonë ka humbje, por humbjet më të mëdha janë si rezultat i ndërprerjes së rrymës. Do të thotë humbjet nga prishjet e ndryshme në linjat prodhuese”, ka thënë ai.

Palushi thotë se pavarësisht problemeve këtë vit kanë pasur rritjet deri në 20 përqind dhe atë në tregun e jashtëm.

“Në fakt kompania jonë operon suksesshëm dhe ndoshta për dallim prej shumë kompanive të tjera të cilat ndoshta s’kanë mundur të gjenden mirë në treg qoftë vendor apo në eksport, ne jemi shumë më mirë dhe këtë vit kemi pasur madje rritje që është 20 për qind sidomos në tregun e jashtëm”.

“Por mendoj që do të duhej më shumë të jetë afër dora e institucioneve të cilat mund të bëjnë shumë më tepër në mënyrë që sektori i prodhimit të jetë shumë më i fuqishëm, sepse Kosova më shumë se për gjithçka tjetër, sot ka nevojë për më shumë prodhim aq më tepër kur është koha kur një numër i të rinjve duhet të largohen dhe po largohen vazhdimisht”.

“Në qoftë se do të investojë shumë më tepër dhe do të kishte shumë më tepër mbështetje edhe nga ana institucionale, sigurisht që sektori dhe do të shfuqizohej dhe kështu do ta bënte Kosovën edhe një adresë ku do të flitej për atë çfarë prodhohet”, u shpreh Palushi.

Lexo më shumë:

Të ngjashme