Prodhuesit shqiptarë të shqetësuar për zhvlerësimin e euros

Tiranë | 26 Maj 2018 | 18:14 | Nga

Forcimi i valutës shqiptare – lek ndaj euros shënoi një tjetër rekord këtë fundjavë. Në disa pika të këmbimit valutor ajo zbriti në 126.4 lekë.

Ndërkohë, pikërisht të premten, prodhuesit dhe eksportuesit u mblodhën për të diskutuar rreth dëmeve që po u vijnë nga kjo.

Arben Shkodra, drejtues i Shoqatës së Prodhuesve kërkoi që, Banka e Shqipërisë të bëjë një studim apo parashikim për ndikimin që kanë luhatjet e monedhës euro tek eksportuesit shqiptarë.

“Shqetësimi ynë është se nuk po kuptojmë deri ku është rënia. Kemi bërë një analizë sektoriale dhe për çdo kompani. Në fund të vitit do të kuptojmë pasojat reale”, tha Shkodra.

Sipas shoqatës, ndikimin më të madh negative do ta kenë produktet “Made in Albania”, si lëndët e para të ndërtimit, bimët mjekësore dhe kompanitë fason.

“Ne jemi në të njëjtin mendim që tregu është i lirë. Nuk mendojmë që është si pasojë e rritjes ekonomike, por si pasojë e aktiviteteve informale dhe kriminale. Kërkojmë të bëjmë një tryezë me qeverinë për të gjetur rrugëzgjidhje të përkohshme. Prodhuesit nuk do të falimentojnë”, tha Shkodra.

Prodhuesit thanë se deri më tani, pavarësisht kërkesave të parashtruara, nuk kanë pasur dialog me institucionet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme