Aleksandar Vuçiq po i përdor serbët e Kosovës si mburoja të gjalla njerëzore për të mbrojtur veten dhe regjimin e tij. Ai ka nxjerrë në rrugë edhe grupin kriminal “Beretat e Kuqe”, të cilët kanë kryer krime në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci.
Zharko Koraq, profesor në pension në Fakultetin Filozofik të Beogradit, thotë se regjimi i Vuçiqit po bën gjithçka për të trembur qytetarët dhe për t’i bindur ata të qëndrojnë në shtëpi, në vend që të marrin pjesë në protestë.
Sipas tij, me urdhër të Vuçiqit, në Beograd janë sjellë njerëz nga Kosova, të cilët po përdoren si mburoja njerëzore.
“Ai solli në Beograd njerëz nga Kosova që marrin ndihmë sociale nga regjimi dhe jetojnë prej saj. I vendosi në tenda përballë Presidencës dhe i shfrytëzon si mburojë njerëzore,” deklaroi Koraq.
Profesori thekson se ky regjim po përpiqet me çdo mjet të frenojë protestat.
“Sigurisht, kjo nuk do të funksionojë. E gjithë Serbia do të derdhet nesër në Beograd për të mbështetur studentët që po protestojnë për muajin e katërt, pas vdekjes së pesëmbëdhjetë personave, të cilët humbën jetën kur një tendë u shemb në stacionin hekurudhor të Novi Sadit,” tha Koraq.
Ai rikujton se presidenti i Serbisë, i cili kohët e fundit ka shtuar daljet publike, vazhdimisht paralajmëron dhunë dhe përleshje në rrugë, përhap panik dhe frikë dhe kërkon mënyra për të bllokuar afrimet drejt Beogradit dhe për të penguar daljen e qytetarëve në protesta.
“Përpara ndërtesës së Presidencës Serbe, ‘studentët që duan të mësojnë’ të Vuçiqit kanë ngritur kampe prej ditësh. Ky është një grup i organizuar nga regjimi, që kalon ditë e natë në çadra duke marrë para për pjesëmarrjen në shfaqjet televizive të kontrolluara nga pushteti. Mes tyre ka kontrabandistë të vegjël, tregtarë droge dhe figura gjysmëkriminale,” shtoi Koraq.
Sipas tij, është veçanërisht shqetësuese që vetëm disa ditë para përvjetorit të 22-të të vrasjes së Zoran Gjingjiqit, Vuçiq ka nxjerrë në rrugë pjesëtarët e njësisë kriminale “Beretat e Kuqe”, drejtuesit e së cilës organizuan dhe ekzekutuan atentatin ndaj ish-kryeministrit serb në vitin 2003.
“Anëtarët e ‘Beretave të Kuqe’ kanë kryer krime të shumta në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Përveç vrasjes së Gjingjiqit, ata kanë ekzekutuar ish-kryetarin e Presidencës së Serbisë, Ivan Stamboliq, kanë tentuar të vrasin Vuk Drashkoviqin, kanë ekzekutuar katër bashkëpunëtorë të tij në autostradën e Ibrit dhe kanë vrarë gazetarin Slavko Çuruvija… Dhe këta janë njerëzit që duhet ta mbrojnë Vuçiqin nga studentët?!” përfundoi Koraq.