Ushtria e Kosovës i posedon kapacitet e nevojshme për anëtarësim në NATO. Por Kosova mbetet shteti i fundit në rajon që i ka zhvilluar dhe zbatuar politikën e saj të pavarur të sigurisë dhe mbrojtjes.
Integrimi në NATO ka qenë ndër prioritetet kryesore, por ekspertët e sigurisë vlerësojnë se bërja pjesë e aleancës është më shumë problem politik.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Kadri Kastrati në një deklaratë për Ekonomia Online tha se problemi qëndron se akoma ka shtete që nuk e kanë njohur Kosovën.
Sipas tij, pa përderisa nuk përfundon dialogu, FSK-ja mund të jap kontribut jashtë vendit vetëm përmes partnerëve ndërkombëtar.
“Kosova do të anëtarësohet në NATO, dhe nuk ka pengesa për një anëtarësim të tillë pasi ushtria jonë ka kapacitete mjaftueshëm për me i ofruar NATO-s. Problemi është më tepër politik sepse pesë shtetet që janë anëtare të BE-së por edhe të NATO-s nuk na kanë njohur akoma”.
“Tashmë dhe e dini që secili shtet duhet të votoj. Pa bisedime me Serbinë kjo nuk mund të ndodh, përderisa bisedimet nuk kryhen dhe këto shtete nuk na njohin si shtet të pavarur dhe mbetemi çdoherë që ne të japim kontribut jashtë vendit, por vetëm përmes partnerëve tanë ndërkombëtar”, tha ai.
Kurse eksperti i sigurisë, Nuridin Ibishi tha se thotë se vendi akoma është në fazën e tranzicionit përkundër vendeve tjera të rajonit.
“Duhet të kemi parasysh që disa vende të rajonit kanë kaluar nëpër një fazë të përshpejtuar të anëtarësimit në NATO, kurse ne jemi ende në fazën e tranzicionit, pra në këtë tranzicion 10 vjeçar. Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret ashtu si parashihen për anëtarësim, pra duhet vetëm faza e përshpejtimit të partneritetit për paqe për t’u bërë anëtare”.
“Po e shohim që ndikimi rus po është shumë i madh dhe përmes Serbisë me kërcënime të vazhdueshme, edhe në aspektin e diplomacisë kinse për të drejtat e serbëve por qëllimi është që të krijohet një destabilizim jo vetëm në Kosovë, por në rajon”.
Por Ibishi thotë se Kosova është e gatshme për një anëtarësim të tillë, gjithmonë në bazë të konditave të parapara.
“Gjithsesi qëndrimi jonë si njohës të sigurisë por edhe të institucioneve tjera dhe prezenca e ndërkombëtarëve japin një vlerësim të tillë që ne jemi të gatshëm me kapacitete të plota, duke pasur parasysh këtu që tashmë mund të shkojmë në misione paqeruajtëse në vende të tjera”.