Projekti kundër krimit të organizuar, kryeprokurori i Prizrenit takohet me konsulentin e OSBE-së

Prishtinë | 12 Qer 2026 | 21:29 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në një takim pune Dr. Eoin B. Healy, konsulent vlerësues i Misionit të OSBE-së në Kosovë, si dhe Arita Gërxhaliu-Rama, zyrtare kombëtare për monitorim në projektin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjatë këtij takimi u diskutua për çështje të rëndësishme që lidhen me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve të korrupsionit, rritjen e transparencës institucionale dhe forcimin e llogaridhënies.

Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për zbatimin e Projektit Rajonal për Monitorimin e Gjykimeve në fushën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndikimin e këtij projekti në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për raportin dhe rekomandimet e hartuara në kuadër të këtij projekti.

Me këtë rast, u vlerësua rëndësia e monitorimit të proceseve gjyqësore si një mekanizëm që kontribuon në rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, avancimin e transparencës dhe identifikimin e praktikave më të mira në trajtimin e rasteve komplekse të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeprokurori Kryeziu falenderoi përfaqësuesit e OSBE-së për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e ofruar ndaj institucioneve të drejtësisë, duke ritheksuar përkushtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren për forcimin e sundimit të ligjit, luftimin efektiv të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe zbatimin e standardeve më të larta profesionale në ushtrimin e funksioneve të saj.

Të ngjashme