Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri ma miratuar Projektligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufijve Shtetërorë.
Ky projektligj është proceduar pa përkrahjen e komisionit, raporton Ekonomia Online. Amendamentet e grupit punues për këtë projektligj nuk janë përkrahur nga Lista Serbe, përderisa amendamentet e propozuara nga Lista Serbe nuk kanë marrë përkrahjen e komisionit.
Anëtarët e komisionit kanë theksuar se ky ligj ka të bëjë me kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit për lëvizje jashtë Kosovës dhe për ata që kanë migruar në Kosovë apo vijnë në mënyrë joligjore në vendin tonë.
Fatmir Xhelili, anëtar i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, ka sqaruar pse nuk i përkrahën amendamentet e propozuara nga Lista Serbe.
“Gjatë grupit punues kanë dalë amandamentet me përkrahje të komisionit dhe pa përkrahje të komisionit, amandamentet e Listës Serbe janë pa përkrahje të komisionit janë amandanente që trajtojnë problematikë tjetër dhe jo që e kontrollon ky ligj ose e krijon hapësirën ligjore me u zbatu ky ligj, por ka të bëjë me kontrollin për mbikëqyrjen e kufirit për lëvizjet jashtë Kosovës dhe ata që kanë migrua në Kosovë apo që gjinden në mënyrë jo ligjore në Kosovë, kurse amandamentet që i ka sjellë Lista Serbe kanë të bëjnë me lëvizjen dhe migrimin brenda Kosovës që nuk është tematikë e këtij ligji”, tha Xhelili.
Rexhep Selimi ishte kundër amandamenteve të Listës Serbe duke deklaruar se nuk kanë të bëjnë me ligjin përkatës.
“Unë kam vërejtje dhe qysh tash e deklaroj që do t’i votoj kundër sepse edhe s’kanë të bëjnë me ligjin përkatës dhe janë të motivuar ndryshe prej asaj çka kemi trajtuar ne. Mendoj që nuk kemi nevojë të futemi në tema të tjera; vazhdojmë me procedimin nëse marrim përkrahje amandamentet e kolegut marrin përkrahje dhe i rekomandohen seancës, nëse nuk marrin po ashtu shkojnë në seancë pa përkrahje të komisionit dhe në fund fjalën përfundimtare e ka Kuvendi i Kosovës se si do votojë për ose kundër për secilin amandament veç e veç”, tha Selimi.
Zoran Mojisloviq, nga Lista Serbia, tha se amendamentet e propozuara do t’i dërgohen Kryesisë pa pëlqimin e komisionit, raporton EO.
“Këto amendamente nuk janë dhe nuk kanë të bëjnë me këtë ligj, pasi që disa obligime që janë theksuar nga marrëveshja në Bruksel. Shenjat që përmenden këtu, në terren nuk zbatohen dhe me këtë nuk mund të pajtohem me qëndrimin tuaj dhe as nuk do të votoj për propozimin që keni dhënë”.
Gjithashtu është proceduar edhe Projektligji për Infrastrukturën Kritike, që deri më tani i ka munguar Kosovës. Ky projektligj është miratuar nga të gjithë anëtarët e komisionit.