Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend mendimin lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se materiali ka kaluar procedurat e parapara andaj edhe kërkoj nga ministrat që ta miratojnë atë, raporton Ekonomia Online.
Hartimi i këtij Projektligji është nismë e kreut të Kuvendit, Kadri Veseli. Ai përmes një statusi në rrjetin social Facebook, në qershor kishte njoftuar se ka iniciuar hartimin e tij.
Veseli kishte thënë se projektligji ka për qëllim mbrojtjen institucionale të luftës, të përcaktojë monumentin qendror që i mungon vendit, si dhe do të nisë themelimin e muzeut të luftës së popullit.
Sipas tij, me miratimin e këtij ligji do të përcaktohej një datë e veçantë për ta përkujtuar sakrificën e popullit tonë për lirinë, ndër dekada e shekuj, ashtu siç është praktikë në shumë vende.