Prokurori Publik “mban peng” reformat në gjyqësor

Prishtinë | 11 Gus 2017 | 15:57 | Nga

Pozita e Prokurorit Publik paraqet një hallkë shumë të rëndësishme për funksionimin e shtetit ligjor, dhe politizimi i kësaj figure e bën të pamundur procesin e reformave, theksojnë ekspertët juridikë, duke komentuar bllokimin e shkarkimit të Prokurorit Publik Marko Zvërlevski, për shkak të polemikave të stërzgjatura në Parlament nga ana e deputetëve të opozitës maqedonase VMRO-DPMNE-së ,e cila drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Margarita Caca-Nikollovska, ish-gjykatëse në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për Radion Evropa e Lirë thotë se në bazë të ligjeve që përcaktojnë kompetencat e Prokurorit Publik, ai mundet të pengojë hetimin e rasteve që ndërlidhen me përfshirjen e ish-zyrtarëve të lartë të shtetit në vepra kriminale.

Nikollovska thotë se përderisa në krye të Prokurorisë Publike qëndron një njeri, i cili siç u mësua nga bisedat përgjuara, se ai punon sipas direktivave të udhëhqësve të një partie politike, është e vështirë të realizohet procesi i reformave në sistemin gjyqësor, reforma të cilat i ka paralajmëruar Qeveria edhe në bazë të planit të ashtuquajtur 3-6-9, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimeve euroatlantike.

“Ligji i jep më shumë kompetenca Prokurorit Publik për zhvillimin e hetimeve ku ka indice se janë bërë keqpërdorime nga ana e personave fizikë ose juridikë. Po keqja është se këto kompetenca, në vend se të shfrytëzohen për ndjekjen e kriminelëve dhe përballjen me drejtësinë, ato shfrytëzohen për mbrojtjen e tyre, përkatësisht pengimin e drejtësisë përmes pasivitetit”, thekson Nikollovska.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Bashkim Selmani, duke komentuar procesin e shkarkimit të Prokurorit Publik, Marko Zvërlevski, që pritet t’i hap rrugë emërimit të një Prokuroritë ri Publik ,thekson se përderisa ka indice se liderët e partive të caktuara politike kanë kryer vepra kriminale, qoftë nga tabori i opozitës ose atyre që janë në pushtet, në krye të këtij institucioni është e nevojshme të vijë një personalitet i jashtëm.

“Për Maqedoninë, në një situatë kur për dy liderë politikë ka dyshime se kanë kryer vepra të rënda që ndërlidhen me krimin financiar, në krye të institucionit të Prokurorit Publik është mirë të vjen një person i pavarur, i cili është i dëshmuar si prokuror, dhe vetëm në atë rast do të mund të shpresohet se do të zbatohen ligjet, duke respektuar gjithmonë interesat e përgjithshme të qytetarëve, në interes të sistemit dhe shtetit dhe jo në interes të partive politike”.

“Për ta realizuar këtë nevojitet të vjen një personalitet i jashtëm në krye të Prokurorisë Publike”, thotë Bashkim Selmani.

Deputetët e partive në pushtet, të premten kanë vendosur të mos u përgjigjen kolegëve të tyre nga opozita gjatë debatit për shkarkimin e Prokurorit Publik, duke theksuar se çdo fjalë në mbrojtje të Prokurorit Publik Marko Zvërlevski është në mbrojtje të krimit.

Përderisa, deputetët e VMRO-DPMNE-së, të drejtuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski thonë se nisma për largimin e Prokurorit Publik Marko Zvërlevski nga detyra është për motive politike, por gjithashtu edhe në kundërshtim me kodin zgjedhor, pasi dispozitat e tij, sipas VMRO-së nuk lejojnë shkarkime dhe emërime të funksionarëve pas ditës së shpalljes së zgjedhjeve.

Ndryshe, sistemi gjyqësor mbetet një nga sferat më të kritikuara nga faktori ndërkombëtar, duke theksuar nevojën e realizmit të reformave rrënjësore në gjyqësor.

Të ngjashme