Në gjykimin ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendit, prokurori i çështjes Blerim Igrishta e ka rikualifikuar veprën penale.
Prokurori Igrishta e rikualifikoi veprën nga vjedhje e rëndë në vjedhje të shërbimeve komunale.
“Duke u bazuar në propozimin e prokurorisë së apelit të datës 22.2.1018 e cila ka propozuar dhe sugjeruar gjykatës që këtë vepër penale ta ri cilësojë për çka edhe gjykata e apelit e ka kthyer në rigjykim ku edhe jemi sot këtu, prokuroria konsideron se në bazë të përshkrimit faktik në diapozitivin e aktakuzës në rastin konkret kemi të bëjmë me vjedhje të shërbimeve komunale andaj të njëjtën aktakuzë e rikualifikojme, dhe në vend të vjedhje e rëndë duhet të jetë vjedhje e shërbimeve komunale nga neni 320 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “, tha Prokurori Igrishta.
Gjyqtari i çështjes Rrustem Begolli, pas rikualifikimit të veprës penale e ndërpreu seancën për të vazhduar më vonë.
Deputeti Kelmendi akuzohet se më qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme nga data e pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë-Kosovë, e cila është pronë e tij, i kanë shkaktuar dëm KEK- ut në vlerë prej 22.801.19 euro.
Kjo pasi që, sipas prokurorisë, gjatë një kontrolle të bërë në kompaninë “Elkos” nga punëtorët e KEK-ut, kanë vërejtur se Kelmendi me qëllim të vjedhjes e ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike.
Në aktakuzë më tej sqarohet se deri tek ky konkludim nga punëtorët e KEK-ut ka ardhur pasi që janë gjetur dy transformatorë të rrymës që kanë qenë jashtë matjes, derisa një përçues ishte shkëputur nga lidhja.
Si rrjedhojë, Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve dy të tretat (2/3) e energjisë elektrike nuk ishte regjistruar, me ç‘rast edhe e akuzon Kelmendin me veprën penale të vjedhjes së rëndë.