Prokuroria e Gjilanit mohon pretendimet e personit që është në arrati, se e ka korruptuar një prokuror

Prishtinë | 06 Mar 2024 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dalur me reagim për media, pas raportimit të Nacionales.

Në intervistën e gazetarit Vullnet Krasniqit, një person në arrati akuzon prokurorin Agron Uka se e ka korruptuar.

Këto pretendimet, Prokuroria i ka mohuar.

Njoftimi:

Gjilan, 6 mars 2024 – Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton opinionin publik se gjatë ditës së sotme portali “Nacionale’’ ka publikuar një intervistë me të pandehurin B.L. kundër të cilit Policia e Kosovës, më datë 14 Shkurt 2024 ka parashtruar kallëzim penal për shkak të veprës penale ‘’Vjedhja e rëndë’’, nga neni 315 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndaj të njëjtit me aktvendim për zgjerimin e hetimeve të datës 16 Shkurt 2024, kanë filluar hetimet për shkak të veprës penale ‘’Vjedhja e rëndë’’ nga neni 315 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I pandehuri B.L., ka qenë i pa arritshëm nga Policia e Kosovës dhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të prokurorisë dhe policisë i njëjti ende nuk është arrestuar dhe gjendet në kërkim policor.

Për hir të korrektësisë ju informojmë se pretendimet e të akuzuarit në këtë intervistë nuk qëndrojnë, pasi ndaj të njëjtit prokuroria ka ngritur këto aktakuza:

  • Më datë 01 tetor 2009 është ushtruar propozim akuzë për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’ nga neni 332 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 23 të KPRK-së,
  • Më datë 03 Mars 2010 është ushtruar propozim akuzë për veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’ nga neni 153 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 4 të KPRK-së,
  • Më datë 10 Janar 2011 është ushtruar propozim akuzë për veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’ nga neni 153 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 4 të KPRK-së.

Të ngjashme