Më shumë se katër vite hetime i janë dashur prokurorisë së Pejës për të ngritur tezën e vrasjes me pagesë të Ferdinand Gjinit.
Banori i Gjakovës ishte vrarë mëngjesin e 23 qershorit 2014 në urën që lidhë fshatin Llukë dhe Prapraqan të Deçanit.
Hetimet e para të prokurorisë përgjegjës për këtë vrasje e identifikuan Gjon Pnishin. Ai ishte arrestuar ndërsa disa muaj me vonë ndaj tij filloj procesi gjyqësor në Gjykatën e Pejës.
Nënë akuzën për vrasjen e Gjinit, Pnishi ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 18 vite burgim.
Por vrasja e cila tronditi zonën nuk kishte marrë verdiktin final Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim çështjen ndërsa në rrugën hetimore prokurorja e rastit Valbona Haxhosaj kishte ngritur dyshime të reja.
Prokurorja Haxhosaj pretendonte se kishte zbuluar se vrasja ishte kryer me pagesë duke pretenduar se dihet edhe shuma e parave.
Bekim Raja sipas aktakuzës e kishte porositur Gjon Pnishin që së bashku me dy persona të tjerë Avni dhe Murat Sinanajn ta ekzekutonin Ferdinand Gjinin. Për ta realizuar këtë qëllim sipas aktakuzë Bekim Raja i kishte ofruar Gjon Pnishit shumën prej 100 mijë frangave.
Për ta realizuar qëllimin tre të pandehurit Gjon Pnishi, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj e kishin ndërtuar planin e vrasjes.
Të pandehurit kishin kontaktuar me viktimën me qëllim të shkëmbimit të një substance narkotike dhe siç përshkruhet në aktakuzë viktima gjatë tërë kohës ishte ndjekur nga i akuzuari Gjon Pnishi.
“Kur viktima kishte arritur në vendin e krimit Gjon Pnishi i kishte bllokuar rrugën ndërsa i pandehuri Murat Sinanaj kishte qëlluar mbi të me automatik”thuhet në aktakuzë.
Në gjykimin e sotëm tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm në akuzat e prokurorisë. Në mars të këtij vitit Bekim Raja u ekstraduan drejt Kosovës nga shteti Zviceran.