Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar në lidhje me bastisjen që po ndodhë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Aksioni i nisur në orët e hershme të mëngjesit sipas tyre po bëhet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe njësitë e tjera mbështetëse, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion. Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së. Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

