Prokuroria jep detaje për vdekjen e Arian Dacit
Pas lajmit për vdekjen e djalit të Nexhat Dacit, Arianit, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se hetuesit rajonalë janë nisur për në vendin e ngjarjes. Kufoma e të ndjerit momentalisht ndodhet pranë një hoteli në Brezovicë
Dyshohet se Ariani e ka humbur jetën si pasojë e një orteku të borës, ndërsa lëndime ka pësuar shoku i tij Ardian Bakalli që është jashtë rrezikut për jetë.
“Hetuesit rajonal janë nisë për në Brezovicë, sipas komandantit të policisë së Shtërpcës kufomën e kanë ofru deri te hotel “Molika”, dyshohet se viktimën e ka zënë orteku i borës. Kaq dihet deri më tani”, tha kryeprokurori Shukri Jashari.
Për vdekjen e Arianit kanë reaguar figura të shumta publike. Ramush Haradinaj e ka ngushëlluar Nexhat Dacin për vdekjen e djalit të tij, Arianit. Shefi i Qeverisë ka ngushëlluar familjen Daci dhe miqtë e tij.
“I tronditur nga fatkeqësia në Brezovicë, ku humbi jetën Arian Daci, zëvendësministër i diasporës, kurse mbeti i lëndur Ardian Bakalli. Ngushëllimet më të sinqerta mikut tim, Akademik Nexhat Dacit, familjes së ngushtë të Arianit si dhe miqve e kolegëve të tij”, ka shkruar Haradinaj.
Arian Daci ishte emëruar Zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës.